Zhvarrosen trupat e tre personave që vdiqën pasi u operuan në QKUK

Zhvarrosen trupat e tre personave që vdiqën pasi u operuan në QKUK

Zyrtarë nga Instituti i Mjekësisë Ligjorë në Kosovë gjatë ditës së sotme kanë bërë zhvarrosjen e tre personave të cilët kanë vdekur në sallat e operacionit në QKUK, e për të cilët nuk është kryer autopsia nga ana e QKUK-së.

Në mënyrë që rasti të zbardhet plotësisht, prokurori i rastit, Valdet Gashi, sot ka dhënë urdhër për zhvarrosjen e trupave të tyre. Autopsia për tre pacientët tashmë të vdekur do të kryhet nesër, raporton Gazeta Express.

Prokurori i shtetit, Valdet Gashi, ka bërë të ditur për Express, se ka gjatë ditës së sotme ka dhënë urdhër për zhvarrosjen trupave të tre pacientëve të QKUK’së, vdekja për të cilët është cilësuar si e dyshimtë nga ana e zyrtarëve të hetuesisë.

“Me qëllim që të vërtetohet shkaku i vdekjes, sot unë kam lëshuar urdhëresë për Institutin e Mjekësisë Ligjore që ta bëjë zhvarrosjen e tri kufomave për t’ia kryer autopsinë. Autopsia për këta tre pacientë do të kryhet nesër. Zhvarrosja ka përfunduar sot”, ka thënë Gashi të enjten për Express.

E ndërkohë zyrtarët në SHSKUK, kanë thënë gjatë ditës për Express, se kanë qenë familjarët e pacientëve ata të cilët nuk kanë lejuar që t;’i kryhet autopsia të afërmve të tyre.

“Kolegët tanë kanë kërkuar që t’u bëhet obduksioni, por familjarët e kanë nënshkruar dokumentin që nuk po duan që t’u bëhet obduksioni. Për njërin rast është me shkrim dokumenti që familjari nuk ka lejuar që të kryet obduksioni. Për tjetrin është verbal, d.m.th. në aspektin gojor. Obduksionet nuk janë bërë, dhe kjo tashmë nuk është në dorën tonë”, ka thënë  Shemsi Veseli, anëtar i Bordit në SHSKUK.

E ndërkohë prokurori Gashi e shtetit ka njoftuar se tashmë ka filluar intervistimin e disa zyrtarëve në QKUK. Sipas tij, hetimet janë duke vazhduar.

“Janë intervistuar edhe disa zyrtarë në QKUK”, ka thënë tutje Gashi.

Ndërkaq, zyrtarë nga Policia e Kosovës, kanë bërë me dije se janë duke punuar në hetim e rastit, sigurimin e dosjeve të pacientëve si dhe marrjen e deklaratave të dëshmitarëve.

“Jemi në fazën e parë të hetimeve, që përfshin sigurimin e dosjeve të pacientëve, marrjen e deklaratave të dëshmitarëve dhe profesionistëve shëndetësorë. Në kontekstin e procesit hetimor ne po vazhdojmë edhe me ndërmarrjen e veprimeve të tjera që po ndikojnë në sqarimin dhe ndriçimin e plotë të këtyre vdekjeve si dhe po bashkëpunojmë me institucioneve relevante shtetërore që do t’i kontribuojnë procesit të hetimit”, ka deklaruar Agron Borovci.