Zhduket futbollisti brazilian, Kukësi e kërkon përmes Facebook-ut

Zhduket futbollisti brazilian, Kukësi e kërkon përmes Facebook-ut

Klubi i Kukësit ka bërë një njoftim në faqen zyrtare në Facebook, ku i kërkon futbollistit të saj, brazilianit Felipe Moreira, i cili është larguar nga klubi pa marrë leje dhe pa njoftuar, që të paraqitet në zyrat e klubit brenda datës 18 janar.

Mesa duket, në pamundësi kontakti me vetë futbollistin, klubi nga Superliga e Shqipërisë ka vendosur ta kërkojnë atë përmes Facebook-ut.

Kukësi i është drejtuar personalisht futbollistit përmes letrës së postuar në faqen zyrtare të klubit në Facebook. Përveç njoftimit të bërë në gjuhën shqipe, klubi shqiptar e ka shkruar letrën e në gjuhën amtare të brazilianit, në portugalisht.

“I nderuar z. Moreira,. Ju njoftojmë se jeni larguar nga klubi pa leje dhe pa njoftuar dhe nuk jeni paraqitur pranë klubit për fazën përgatitore, e cila filloi në daten 05.01.2017 ne Antalya Turqi”, shkruhet në njoftimin e Kukësit.

Klubi kuksian, përmes këtij njoftimi, i ka bërë të ditur brazilianit Moreira se nëse nuk paraqitet në klub para datës 18 janar, do të detyrohet t’ia prishë kontratën atij.

“Për kete arsye kerkojme te paraqiteni prane klubit brenda dates 18.01.2017 ne te kundert do ta konsiderojme zgjidhje te njeanshme nga ana juaj te kontrates te nenshkruar midis paleve tona”, shkruan klubi i Kukësit në Facebook.

Moreira ishte transferuar në Kukës nga Brazili në verën e vitit 2015. Ai më parë ka luajtur edhe me skuadrën e njohur braziliane, Santos.

kukesi