Zgjidhja e befasishme e një prej mistereve më të mëdha në histori të SHBA

U zbulua përbindëshi prej të cilit me dekada frikohej e gjithë Kalifornia!

Zgjidhja e befasishme e një prej mistereve më të mëdha në histori të SHBA

Më shumë se katër dekada pasi vrasësi serik famëkeq, i quajtur “Golden State Killer”, kishte nisur marshin e tij të tmerrit nëpër gjithë Kaliforninë, në shtetin federal të njohur si “Golden State”, hetuesit më në fund e mbyllën rastin. Siç kanë publikuar autoritetet të mërkurën, në rastin i cili ka të bëjë me dhjetëra përdhunime dhe vrasje të së paku 12 njerëzve, është arrestuar Joseph James DeAngelo 72 vjeç.

Siç shkruan Washington Post, bëhej fjalë për një prej rasteve më famëkeqe të pazgjidhura në historinë amerikane. Prej vitit 1976 deri në 1986 sulmuesi i ka vrarë rreth 12 dhe ka përdhunuar 45 persona. Viktima më e re ishte vetëm 13 vjeçe, ndërsa më e vjetër 41, transmeton Insajderi.com.

DeAngelo është arrestuar në rrethinën e Sakramentos në Kaliforni.

“Kanë gjetur gjilpërën në mullar të kashtës, ka deklaruar prokurorja e qarkut Anne Marie Schubert, duke zbuluar se deri te krimineli i ka sjellë gjurma e tij e ADN.

“Të gjithë kanë qenë në ankth. Kishte njerëz të cilët kanë fjetur me pushkë, shumica kanë blerë edhe qenë. Njerëzit ishin të brengosur, dhe kishin të drejtë. Ky tip e ka terrorizuar gjithë komunitetin, ka bërë gjëra të tmerrshme, ka thënë agjenti i FBI-së Marcus Knutson i cili u lind dhe u rrit në Sakramento.

Shpesh hynte nëpër shtëpi të viktimave të veta para kryerjes së krimit dhe, derisa askush nuk ishte në shtëpi, ka studiuar renditjen e dhomave dhe fotografitë familjare, pastaj i mbante në mend emrat e familjarëve. E prishte dritën e hyrjes dhe i hapte dritaret, i largonte plumbat nga armët, i fshihte litarët nën jastëk, me të cilat do t’i lidhte viktimat para se ti vriste.

Policia në fillim e ka quajtur “Përdhunuesi nga rajoni lindor” (“East Area Rapist”) sepse në fillim ai nuk i vriste viktimat por vetëm i përdhunonte.  Për herë të parë ka sulmuar në verë 1976, kur hyri në një shtëpi në Sakramento, ku e përdhunoi një grua të re dhe iku. Pas disa javëve përsëri ia nisi serinë e përdhunimeve. Pas një viti banorët filluan të “flenë në ndërrime”, sepse krimineli i sulmonte viktimat madje edhe kur anëtarët e familjes ishin brenda në shtëpi.

Viktima e tij e 44 ishte vogëlushja 13 vjeçe të cilën e kishte përdhunuar nën kërcënim me thikë derisa babai i saj dhe motra flinin në dhomën tjetër.

Kur në vitin 1978 filloi të vras, policia e quajti “Përgjuesi i vërtetë i natës” (“Original Night Stalker”). Ai e kishte vrarë një qift bashkëshortor të cilët e shëtisnin qenin e tyre në rajonin e Sakramentos.

Policia madje nuk e ka kuptuar se “Përdhunuesi nga rajoni lindor”, “Përgjuesi i vërtetë i natës” dhe “Golden State Killer” është një person i vetëm, derisa në fillim të viteve 2000 analiza e ADN nuk i lidhi të gjitha krimet e tij, shkruan Washington Post.

Por, atëbotë marshi i tij i krimit tashëm një kohë të gjatë kishte përfunduar. Viktima e fundit ishte Janelle Cruz 18 vjeçe të cilën e kishte rrahur deri në vdekje në vitin 1986. Pastaj u zhduk pa gjurmë. E kanë kërkuar hetuesit dhe detektivët amator nëpër gjithë SHBA madje edhe në Australi.

Në vitin 2016 FBI përsëri i drejtohet opinionit dhe ofron 50 mijë dollarë shpërblim atij që ndihmon të gjendet ky “person i dhunshëm dhe i pakapshëm”. Përndryshe BBC ka transmetuar informatën se DeAngelo, ishte ish polic, i larguar nga puna në vitin 1979, edhe atë për shkak të vjedhjes në një dyqan.

Policia ka kumtuar se “është shumë e besueshme” se kur ka kryer shumicën e krimeve ishte i punësuar në polici./Insajderi.com.