Zgjerohen hetimet për vdekjet e dyshimta në QKUK

Zgjerohen hetimet për vdekjet e dyshimta në QKUK

Janë bërë më shumë se dy muaj që kur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë ndërruar jetë tre pacientë derisa ishin futur në sallën e operimit. Shkaku i vdekjes së këtyre personave ende nuk dihet, ani se analizat e obduksionit për të njëjtit janë bërë muaj më parë.

Prokuroria thotë se po i vazhdon hetimet dhe se dyshimet e para çojnë në Gazin Oksidul (N20), i cili prodhohej pa licencë në Kosovë me të cilin furnizohej QKUK’ja. Rreth vdekjeve prokuroria tashmë ka nisur sërish intervistimin e stafit mjekësorë të QKUK’së.

Prokuroria e Shtetit po i vazhdon hetimet rreth tri rasteve të vdekjeve të pacientëve të cilët ndërruan jetë më 7 shtator në Klinikat e QKUK’së. Për këtë punë, prokuroria ka filluar sërish intervistimin e stafit mjekësor të QKUK’së si dhe personave tjerë të cilët cilësohen si dëshmitarë lidhur me këtë rast.

Kështu ka njoftuar për Gazetën Express, zyra për Informim në Prokurorinë e Shtetit. Zëdhënësi, Ekrem Lutfiu, ka deklaruar se rasti është ende nën hetime.

“Sa i përket  marrjes në pyetje të stafit mjekësor dhe personave tjerë të ndërlidhur me këtë rast, mund tu them se jemi në proces të intervistimit, jo vetëm të stafit mjekësor por të gjithë atyre që janë të përfshirë dhe që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë dërguar Gazetës Express.

Ndërkohë që Gazeta Express, mëson se dhe edhe raporti i autopsisë rreth vdekjes së këtyre tre personave është drejt finalizimit. Pritet që në javën që po hyjmë të finalizohet e gjithë puna.

Javën e kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar paraburgimin edhe për një muaj pronarit të kompanisë “Bubeari Komerce”, Naser Gurit, i cili dyshohet se prodhoi pa licencë gazin oksidul N20, me të cilin furnizohej QKUK’ja, e si pasojë e të cilit dyshohet se kanë vdekur 3 pacientë. Prokuroria ka marrë disa mostra të këtij gazi nga QKUK-ja për t’i kryer analizat, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë rezultat.

Në QKUK dhe të gjitha spitalet regjionale në Kosovë, është hequr nga përdorimi gazi oksidul i prodhuar nga kompania ‘Bubeari’. Tenderin për furnizim me këtë lloj gazi e ka fituar kompania ‘’Medica”,  e cila e ka selinë në Prishtinë.