Zgjedhjet po afrohen, LDK rikthen akuzat kundër PDK-së për vrasjet e pasluftës

Zgjedhjet po afrohen, LDK rikthen akuzat kundër PDK-së për vrasjet e pasluftës

Pak ditë pasi nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Agim Veliu shtroi kërkesën për zbardhjen e vrasjeve të aktivistëve të saj pasluftës, nënkryetari tjetër i kësaj partie Lutfi Haziri ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës për këto vrasje.

I ftuar në emisionin “Rubikon” të televizionit Kohavision, Haziri ka thënë se pas luftës janë vrarë njerëz dhe drejtësia duhet ta thotë fjalën e saj.

Haziri thotë se PDK e ka mizën nën kapuç për vrasjet e pasluftës të zyrtarëve të LDK-së.

“Ata që po reagojnë (e kanë mizën nen kapuç). Dega e PDK-së reagon thotë pse ju po kërkoni drejtësi sivjet se sivjet janë zgjedhjet”, tha Haziri.

Kryetari aktual i Komunës së Gjilanit shprehet se nuk kanë fakte por dyshime për të cilat Gjykata duhet ta thotë fjalën e saj.

“Ne nuk kemi as dosje, nuk kemi as informacione, ne kemi dyshime publike”, deklaroi Haziri.

Por, gati tre vjet pa u përmendur nga krerët e lartë të partisë, kërkesa për zbardhjen e vrasjeve të aktivistëve të LDK-së i ka “pushtuar” zyrtarët e kësaj partie në prag të zgjedhjeve.

Ata janë akuzuar nga familjarët e këtyre aktivistëve të ndjerë, të cilët thanë se partia e Isa Mustafës po i përmend vrasjet e të afërmve të tyre vetëm për “përfitim”. Sipas tyre, LDK kërkon zbardhjen e vrasjeve të pasluftës vetëm para zgjedhjeve.

“LDK dëshiron të përfitojë nga viktimat e SHIK-ut dhe të ringjallë vetveten”, ka thënë Kastriot Imeri, djali i ish-anëtarit të LDK-së, Haki Imerit, i vrarë më 2 nëntor të vitit 1999. Ai ka thënë se “LDK nuk ka të drejtë më të krekoset se kinse kërkon ndriçimin e vrasjeve politike”.

Familjarët e aktivistëve të vrarë të LDK-së: Mos na i përdorni prindërit për zgjedhje

Zyrtarët e lartë të LDK-së për herë të parë gjatë këtij viti i përmendën vrasjet e pasluftës të dielen e 19 marsit, në 27-vjetorin e themelimit të partisë në degën e saj në Podujevë, tubim në të cilin mori pjesë edhe kryetari i partisë, Isa Mustafa.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu kërkoi zbardhjen e vrasjeve të zyrtarëve të LDK-së pas luftës së Kosovës së viteve 1998-99.

“Pashmangshëm këto ditë i kujtojmë më pietet prijësit e intelektualët, ideologët e veprimtarët, deputetët e kryetarët që ranë e na i vranë, që ndërruan jetë por bënë vepra hero e martirë lirie”, ishte shprehur Veliu. /Insajderi.com