Zgjedhjet lokale i kthejnë në “armiq” partnerët e koalicionit

Më pak se dy javë pas formimit të qeverisë Haradinaj, Fatmir Limaj ka filluar sulmet ndaj PDK-së së Kadri Veselit. Fushata për zgjedhjet lokale ka bërë që anëtarët e NISMA-s t’i rikthejnë akuzat ndaj qeverisjes së PDK-së në disa komuna në Kosovë.

Zgjedhjet lokale i kthejnë në “armiq” partnerët e koalicionit

Kur koalicioni parazgjedhor PDK-AAK-Nisma (PAN) mbajti tubimin përmbyllës të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj hezitoi të dalë në skenë me të nominuarin e koalicionit për kryeministër, Ramush Haradinajn dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli.

Veseli ishtë i fundit që kishte folur dhe për të përmbyllur gjithçka, ai kishte ftuar në skenë Haradinajn që është nisur menjëherë dhe Limajn – por që ky nuk ka lëvizur nga vendi.

Aty ishte parë Haradinaj teksa e ka tërhequr për dore Limajn; është dashur një sinjalizim i Kadri Veselit që ka shtyrë kandidatin për kryeministër të kthehej sërish mbrapa e ta merrte Limajn. Pas insistimit të kryetarit të AAK-së, Limaj kishte vendosur që të ngjitej në skenën ku ndodhej Veseli.

Edhe pse pas 11 qershorit PAN arriti të formonte qeverinë e re të Kosovës, përmes një koalicioni me Aleancën Kosova e Re (AKR) të Behgjet Pacollit, në atë tubim përmbyllës të PAN-it u vërejt një qëndrim i ftohtë i Fatmir Limajt ndaj kreut të PDK-së, Kadri Veselit.

Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, partia e Limajt njoftoi e para se do të ndahej në Kuvend. Nisma për Kosovën vendosi që të përfaqësohej si Grup Parlamentar i vetëm.

Pas këtyre veprimeve, më pak se dy javë pas formimit të qeverisë Haradinaj, Fatmir Limaj ka filluar sulmet ndaj PDK-së së Kadri Veselit. Fushata për zgjedhjet lokale ka bërë që anëtarët e NISMA-s t’i rikthejnë akuzat ndaj qeverisjes së PDK-së në disa komuna në Kosovë.

Në hapjen e fushatës zgjedhore së NISMA-s në Prizren, Fatmir Limaj dhe kandidati për kryetar të Komunës së Prizrenit nga kjo parti Zafir Berisha, akuzuan PDK-në dhe “bandat kriminale të tyre” për keqpërdorime në Prizren.

“Të nderuar të pranishëm ju jeni dëshmitar se kemi pasur investime në infrastrukturë të cilat ende pa përfunduar tridhjetë ditë ato shkatërrohen. Operatorët ekonomik janë të detyruar t’i paguajnë haraq bandave të Prizrenit”, tha Zafir Berisha i NISMA-s, të premten.

E pikërisht në këtë tubim të NISMA-s në Prizren, Fatmir Limaj ka premtuar se me fitoren e Nismës në Prizren do të nisë ndryshimi i qeverisjes në Kosovë, ngase sipas tij, Kosova ka nevojë për qeverisje socialdemokrate.

“Nuk ka qytetarë në Prizren që nuk është i gatshëm që ta ndryshojë qeverisjen në Komunën e Prizrenit”, ka thënë Limaj.

Por, jo vetëm në Prizren. NISMA e akuzon PDK-në edhe për degradimin e plotë të një komune tjetër, asaj së Drenasit.

Kandidati i NISMA-s, Isa Xhemajlaj kritikoi qeverisjen 17-vjeçare të PDK-së në Drenas. “Një qeverisje 17 vjeçare ka degraduar shumë në Drenas dhe kulmi ka ardhur në këto muajt e fundit”, deklaroi Xhemajlaj.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të zhvillohen më 22 tetor të këtij viti. Këto zgjedhje do të mbahen në të gjitha komunat e Kosovës. /Insajderi.com