Zëvendëspresidenti Pence pritet ta vizitojë Malin e Zi

Zëvendëspresidenti Pence pritet ta vizitojë Malin e Zi

Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence do të vizitojë shumë shpejt Malin e Zi me ftesë të kryeministrit Dusko Markoviq.

Vizita, thuhet në deklaratën sqaruese të qeverisë malazeze, pason takimet e fundit të Markoviq me Pence dhe sekretarin e shtetit Rex Tillerson në Washington.

Në axhendën e Pence do të jetë dhe një takim me presidentin Filip Vujanoviq, ndërsa kryeministri Markoviq përgatitet të jetë në të njëjtën kohë mikpritësi i një takimi me liderët e vendeve të kartës së Adriatikut.

Samiti, nga sa pohohet në deklaratë, do të mbahet në 2 gusht në Podgoricë, e në të do të marrë pjesë dhe zëvendëspresidenti amerikan.

Do të jetë mbledhja më e rëndësishme ndërkombëtare e mbajtur ndonjëherë në këtë vend, vazhdon njoftimi i qeverisë, ku sqarohet se ftesa për këtë event i janë dërguar liderëve të Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës, Shqipërisë e Maqedonisë, të cilat krijojnë bashkë me Malin e Zi Karten e Adriatikut, si dhe vendeve që gëzojnë statusin e vëzhguesit – Serbia, Kosova dhe Sllovenia.

Për Podgoricën, ndalesa e Pence shihet si konfirmimi i radhës i marrëdhënies së shkëlqyer politike të saj me Washingtonin si dhe partneritetit strategjik mes dy vendeve. /Insajderi.com