Zëvendësministri i PDK-së pranon se u mobilizua “ta rrëzojë Shpend Ahmetin”

Zëvendësministri i PDK-së pranon se u mobilizua “ta rrëzojë Shpend Ahmetin”

Zëvendësministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Bujar Cakolli, ka pranuar se ai së bashku me partinë e tij kanë përkrahur kandidatin e LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashin.

“Po, tashmë është e ditur që unë si sekretar i degës dhe një pjesë e strukturave e kemi përkrah Z.Abrashin në raundin e dytë për balotazh. Por, po ne të njëjtit sms i kemi dërguar edhe për ta përkrahur Shpendin, po atëherë gjithçka ka qenë në rregull për ta, por në momentin kur ne e kemi përkrah dikë tjetër, atëherë ata janë mundu me degradu këtë proces. Edhe pse procesi i dërgimit të sms’ve është legjitim, propaganda, fushata është legjitime”, ka thënë Cakolli.

Cakolli ka folur edhe për zgjedhjet e kaluara lokale, kur në vitin 2013 kishte kërkuar që të votohet atëherë, kandidati i VV-së Shpend Ahmeti.

“Në zgjedhjet e vitit 2013 në raundin e  dytë në balotazh PDK nuk ka pas ndonjë qëndrim për ndonjërin prej kandidatëve, mirëpo një pjesë brenda degës kemi menduar që Prishtinës i duhet një ndryshim dhe kemi dal të gjithë e kemi votu Shpendin, duke menduar që po e ndryshojmë një qeverisje 13 vjeçare të LDK-së. Por, fatkeqësisht, e kemi pa që kanë ndryshuar vetëm fytyrat  dhe jo mentaliteti dhe koncepti qeverisës dhe e kemi pa që ka dështuar në qeverisjen e kryeqytetit”, ka thënë ai në një prononcim për Gazetën Express.

Cakolli marrjen e më shumë votave të kandidatit të LDK-së për kreytar komune në rundin e dytë e ka cilësuar pikërishtë për shkak të mbështetjes së partisë së tij. Ndërsa thotë se votat me kusht që kanë mbetur pa u numëruar do t’ia sjellin fitoren Abrashit.

Insajderi të dielën kishte publikuar një bisedë brenda PDK-së ku Cakolli kërkonte mobilizim për shkak “se kemi rastin historik me e rrëzua Ahmetin”.

Kur kishin mbetur edhe dy orë nga mbyllja e vendvotimeve, në orën 17:13, Bujar Cakolli që është edhe Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prishtinë, iu kishte shkruar të tjerëve në këtë bisedë që të angazhohen sa më shumë për të dalë në votime kundër Shpend Ahmetit.

“Të nderuar, ju lutem që edhe këto dy orë me dhanë maksimumin të gjithë për me rrëzua Shpendin edhe VV”, shkruan Cakolli.