Zëvendësministri i PDK-së mbron Labinot Tahirin, i reagon ashpër Kusarit-Lila

Zëvendësministri i PDK-së mbron Labinot Tahirin, i reagon ashpër Kusarit-Lila

Zëvendësministri në largim i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Gani Koci i ka dalë në mbrojtje deputetit Labinot Tahiri, duke i reaguar ashpër themelueses së ‘Alternativës’, Mimoza Kusari-Lila.

Koci nga Partia Demokratike e Kosovës, e ka quajtur endacake politike kryetaren në largim të Gjakovës, dhe thotë se deputetja e LAA-së vazhdimisht ka “kullotur”, siç shprehet ai, pa asnjë parim politik.

“Endacakja politike, Moza e Kusarëve na paska “shit” parime!  Po ku janë ato parime tuaja, kur prej qe je në politikë nuk ke lënë gardh pa thy e arë pa u futur dhe pa kullotur politikisht, pa asnjë parim”, ka shkruar Koci në Facebook.

“A nuk turpërohesh nga “rrugëtimi yt politik”!”, përfundon reagimin zëvendës ministri i MZHE-së.

Reagimi i tij vjen pasi Kusari-Lila kritikoj kolegun e saj deputet nga LAA i cili një ditë më parë deklaroi se më 3 gusht do të votojë në Kuvend cilin do kandidat për kryeparlamentar që është shqiptar.