Zërat për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, pozita i quan joseriozë

09.11.2017 10:20
Zërat për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, pozita i quan joseriozë

Ngritja e një mocioni të mosbesimit për Qeverinë Haradinaj nga opozita, nuk do të ketë sukses, sipas partitive që janë në pushtet.

Deputetë të AAK-së i thanë Radio Kosovës se iniciativa të tilla nuk janë aspak serioze. Edhe njohës të rrethanave politike theksojnë se Kosovës nuk i duhen zgjedhje të reja edhe për një kohë, për shkak të proceseve që duhet të kryhen nga qeveria aktuale.

Paralajmërimet e opozitës për rrëzimin e Qeverisë Hardinaj nuk po i merr seriozisht partia që po udhëheq pushtetin qendror. Rasim Selmanaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thekson për Radio Kosovën se iniciativa të tilla nuk janë aspak serioze nga opozita. Madje, Selmanaj potencon se paralajmërime të tilla janë kryekëput në frymën e fushatës zgjedhore të 19 nëntorit.

“Këto iniciativa janë kryesisht në frymën e fushatës zgjedhore, e sidomos tani para balotazhit, sesa që është një iniciativë serioze. Sidoqoftë, e drejta për mocion ekziston dhe mund ta provojnë kur të dëshirojnë partitë opozitare. Por, qeveria Haradinaj po vazhdon të punojë mirë dhe është e qëndrueshme sa i përket numrave në kuvend”.

Hyrja e Kosovës në një proces të ri zgjedhor vetëm sa do të shkaktonte ngecje në shumë fusha, thekson Nezir Kraki, ligjërues i shkencave politike në Universitetin e Parisit. Kraki i tha Radio Kosovës se qeveria aktuale duhet të kryejë shumë procese, dhe rrëzimi i saj do të krijonte një cikël të ri bllokade të paktën edhe për dy vite të tjera.

“Të gjitha vonesat që janë shkaktuar gjatë qeverisjes së Isa Mustafës, siç është ratifikimi i demarkacionit, ngecja e bisedimeve me Serbinë, ngecja totale me serbët e veriut dhe të gjitha këto dosje të mëdha që na kanë bllokuar në Kosovës, do të futen në një cikël të ri bllokimi për ndoshta një vit apo dy vite. Tani për tani nuk e ka asnjë interes as LDK e as Kosova në përgjithësi që të shkohet në zgjedhje menjëherë.”

Ndërkohë, zyrtarë të LDK-së kanë paralajmëruar se mund të ngritin një mocion mosbesimi për qeverinë aktuale. Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se e përkrah çdo iniciative për rrëzimin e qeverisë, të udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj.