Zemaj: Presidenti po e zvarrit qëllimshëm seancën konstituive

Zemaj: Presidenti po e zvarrit qëllimshëm seancën konstituive

Deputeti i zgjedhur nga Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, e ka quajtur joserioze letrën e dërguar nga presidenti Hashim Thaçi, për takim të përbashkët me përfaqësuesit e partive politike – para thirrjes së seancës së konstituimit të Kuvendit.

“Letër joserioze, e përgatitur keq, e bërë me hile për t’i thirrur subjektet parlamentare”, ka thënë Zemaj.

Ai në një intervistë për Telegrafin mes tjerash ka theksuar se edhe gjatë takimit të sotëm që është zhvilluar nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa (LAA), është diskutuar pikërisht kjo letër dhe hapat e ardhshëm që do t’i ndërmarrin si koalicion.

“Presidenti është i obliguar ta caktojë seancën konstituive, e jo të ketë takime të tilla që mund të përdoret si precedent i keq për të ardhmen. Kjo është zvarritje e qëllimshme”, ka thënë Zemaj, duke shtuar se shumë shpejt LDK do të dalë me njoftim zyrtar për pjesëmarrje apo jo në takimin e thirrur nga Thaçi.