Zekiri: Ivanov iu shpalli luftë shqiptarëve të Maqedonisë

02.03.2017 15:52
Zekiri: Ivanov iu shpalli luftë shqiptarëve të Maqedonisë

Deputeti me origjinë shqiptare nga radhët e LSDM-së, Muhamed Zekiri, ka vlerësuar se presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, bëri grushtshtet me vendimin për të mos ia dhënë mandatit Zoran Zaevit nga ky subjekt.

“Ivanov me vendimin e tij bëri grushtshtet klasik dhe njëherit u shpalli luftë shqiptarëve të Maqedonisë”, ka deklaruar ai.

Por, megjithëkëtë, ai ka konsideruar se shqiptarët nuk kanë humbur asgjë nga ky vendim i presidentit maqedonas.

“Shqiptarët nuk kanë humbur asgjë, humbësi më i madh mund të jetë vetëm Maqedonia dhe qytetarët e saj”, është shprehur Zekiri.

Ai madje, është shprehur i bindur se partia e Zaevit do të vijë në krye të qeverisjes.

“LSDM gjithsesi do të vijë në pushtet, pasi që ky është vullneti i shumicës së qytetarëve në Maqedoni, bashkë me partitë shqiptare”, ka theksuar ai për “Zërin”.

Ndërkohë, ka thënë se vendimi i djeshëm i presidentit, ka ndarë përfundimisht VMRO-në prej të tjerëve.

“Me vendimin e djeshëm të Ivanovit është ndarë shapi prej sheqerit, VMRO dhe klika kriminale e tyre me një anë dhe gjithë të tjerët jemi në anën tjetër, në anën e së drejtës”, ka përfunduar Zekiri.

Ndryshe, presidenti Gjorgje Ivanov, dje ka marrë vendim që mos ta mandatojë Zoran Zaevin, i cili i takon partisë së dytë më të madhe në vend, ani pse lideri  i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, dështoi ta formonte qeverinë e re.

Këtë vendim, Ivanov e mbështeti mbi atë, se kinse platforma e përgatitur nuk ishte në përputhje me kushtetutën e Maqedonisë, pasi që ajo siç Ivanonv u shpreh, është hartuar nga një tjetër shtet.

“Ajo është e përgatitur nga një shtet tjetër dhe me ndërmjetësim të një shtetit tjetër. Përmbajtja e saj është jashtë Kushtetutës së Maqedonisë. Me këtë platformë Maqedonia është e kërcënuar, ndërsa unitariteti dhe pavarësia është vënën në rrezik”, ka deklaruar Ivanov./