Zbulohet sasi rekorde e kokainës në Kolumbi

09.11.2017 10:12
Zbulohet sasi rekorde e kokainës në Kolumbi

Policia kolumbiane ka zbuluar 12 tonë kokainë në atë që konsiderohet si sekuestrimi më i madh i drogës në historinë e vendit.

Lënda narkotike ishte groposur në 4 plantacione bananesh në veri të vendit, pranë rrugëve të përdorura për të kontrabanduar kokainë në SHBA. Presidenti Huan Manuel Santos e përshkroi këtë si sasinë më të madhe të drogës të kapur gjatë një operacioni të vetëm policor.

Ky i fundit ishte pjesë e një ofensive kundër klanit të fuqishëm të gjirit, një bandë famëkeqe trafikimi të drogës. Kokaina i përkiste Dairo Usugës, i njohur edhe si Otoniel, kreu i Klanit të Gjirit, një prej organizatave më të rrezikshme kriminale të Kolumbisë.

Forcat e sigurisë kanë tentuar të kapin Otonielin për vite me radhë. Policia tha se ata kishin arrestuar 4 persona, ndërsa vlerën e lëndës së sekuestruar narkotike e llogarit në 360 milionë dollarë. Gjatë dy muajve të fundit, forcat e sigurisë kane konfiskuar 20 tonë kokainë në Antiokia.