Zbulohet pllaka memoriale për ushtarët e KFOR-it të rënë gjatë shërbimit në Kosovë

Zbulohet pllaka memoriale për ushtarët e KFOR-it të rënë gjatë shërbimit në Kosovë

Është përuruar pllaka memoriale për ushtarët e KFOR-it të rënë gjatë shërbimit në Kosovë. Ajo u vendos në njërin prej shesheve kryesore të Prishtinës, “Nënë Tereza”.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, me këtë rast tha se në këtë ditë të paqes kujtojmë dhe nderojmë burrat dhe gratë, ushtarët e NATO-s dhe KFOR-it, që sakrifikuan jetën e tyre në shërbim të paqes dhe sigurisë në Kosovë.

“Qeveria dhe populli i Kosovës iu është përjetë mirënjohës NATO-s dhe shteteve që kontribuojnë në KFOR. Ne jemi popull që shprehim falënderim, nuk harrojmë të kaluarën dhe duam të kemi një të ardhme të sigurt”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Kosova synon anëtarësimin në NATO, në organizatën e ushtrimit të paqes, për të ndihmuar jo vetëm vetën dhe rajonin, por kudo dhe këdo që ka nevojë.

Ai ka thënë se “ky memorial është një simbol që Kosova ka vendosur për rrugën e vet në nderimin ndaj të rënëve”.

“Liria është vlera jonë e përbashkët: e Kosovës dhe e aleatëve”, tha tutje kryeministri Haradinaj.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, tha se NATO që udhëhoqi operacionin për mbështetjen e paqes në Kosovë, operacion ky që ktheu shpresën për liri dhe siguri, `99 do të mbetet përjetësisht në historinë më të re të Kosovës, si dita e kthimit të shpresës.

Ndërkaq, zëvendës ndihmës asistenti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, John Manza, tha se KFOR-i vazhdon të jetë i suksesshëm në krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për lirinë e lëvizjes, për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë.

“Ky monument do të mbetet një simbol për një kohë të gjatë për atë se çfarë kemi bërë gjatë këtyre viteve në Kosovë dhe të ndërtojmë një Kosovë të fortë, që synon drejt së ardhmes, e cila është integrimi euroatlantik”, tha zëvendësndihmës asistenti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, John Manza.

Manza në emër të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, falënderoi popullin e Kosovës për këtë iniciativë për ngritjen e këtij monumenti mjaftë domethënës në qendër të Prishtinës./Insajderi.com