Zbulohet një kompleks banimi 7 mijë vjeçar

Zbulohet një kompleks banimi 7 mijë vjeçar

Gërmimet në lokalitetin Gokçeada në Çanakkala të Turqisë, kanë rezultuar me zbulimin e një kompleksi banimi të përbërë nga disa hapësira, për të cilin vlerësohet se i takon periudhës shtatë mijë vjet më parë.

Gërmimet kanë filluar në vitin 2009, dhe të njëjtat udhëhiqen nga profesori Burxhin Erdogu, nga Universiteti i Thrakisë, sipas të cilit, gërmimet kanë nxjerrë në dritë zbulime shumë të rëndësishme.

“Gjatë gërmimeve të këtij viti kemi zbuluar një kompleks banimi me 7-8 hapësira”, tha Erdogu.

Gërmimet do të vazhdojnë, tha ai, meqë bëhet fjalë për një proces dhe periudhë të panjohur deri më sot në Anadollin perëndimor.

Erdogu rrëfen se gjatë gërmimeve është zbuluar një numër i madh i gropave, në njërën prej të cilave janë gjetur eshtra njerëzish.

“Në zonën e gërmimeve janë zbuluar shumë gropa. Në njërën nga to, janë gjetur 13 skelete të grave, burrave dhe të fëmijëve. Skeletet kanë qenë të lënë atje, një befasi për ne meqë nuk ka zbulime të tilla që datojnë nga ajo periudhë, qoftë në Anadollin perëndimor ose në Greqi. Jemi me fat sepse është hera e parë që bëjmë një zbulim të atillë”, tha Erdogu.

Supozohet se varrimi i një të vdekuri është bërë duke renditur gurë mbi trupin e tij.

“Kjo ka qenë mënyra e varrimit, por nuk mund të themi me siguri se ka qenë kështu”, tha Erdogu për të shtuar se analizat e ADN-së do të tregojnë më qartë se për çfarë bëhet fjalë, shkruan Anadolu Agency.

Analizat e eshtrave të gjetura do të zbulojnë nëse vallë bëhet fjalë për persona në lidhje familjare, për prejardhjen e tyre, cilit popull i përkasin dhe të ngjashme.