Zbulohen 8 pako-bombë për zyrtarët evropianë në Greqi

21.03.2017 08:21
Zbulohen 8 pako-bombë për zyrtarët evropianë në Greqi

Antiterrori grek ka zbuluar mbrëmjen e së hënës, tetë pako-bombë të reja, gati për tu postuar tek zyrtarë të lartë evropianë, dy prej të cilëve thuhet se janë, kreu i Eurogrupit Jeroen Dijsselbloem dhe komisioneri evropian për ekonominë Pierre Moscovici.

Pakot janë gjetur pas kërkimeve të shumta në zyrën postare, në Krioneri të Athinës, ku bëhet ndarja e postës, disa ditë pasi grupi terrorist “Komploti I Celulave të Zjarrit”, mori përgjegjësinë për të paktën një prej dy pakove të dërguara, njëra në adresën e ministrit gjerman të Financave, Ëolfgang Schauble dhe tjetra në zyrat e FMN-së në Paris.

Kjo e dyta ka shpërthyer gjatë hapjes duke lënduar një prej nën punësve të organizmit, shkruan Tch.

Edhe në pakot e gjetura, thuhet se ka pasur  brenda të njëjtin mekanizëm shpërthyes, i ngjashëm me atë që kanë pasur 14 pakot e nisura nga i njëjti grup, në 2010-ën ndaj zyrtarëve të lartë evropianë, mes të cilëve, Angela Merkel, Silvio Belruskoni dhe Nikola Sarkozi.

Sipas informacioneve nga policia, kësaj here në adresën e dërguesve ishin shënuar emrat e disa personaliteteve të shquar në financa apo në fushën e studimeve universitare, për të mos ngjallur dyshimet e policisë.

Informacione të pakonfirmuara bëjnë me dije se në adresën e dërguesit janë edhe emrat e ish ministrave të Financave, Janis Varoufakis në qeverinë Syriza dhe Gikas Hardouvelis në qeverinë Samaras.

Ndërsa marrësit thuhet se janë edhe disa krerë të  kompanive të mëdha, në vende të ndryshme evropiane.