“Zambaku i Prizrenit” fton kompozitorët të konkurrojnë për edicionin e 29

“Zambaku i Prizrenit” fton kompozitorët të konkurrojnë për edicionin e 29

Organizatorët e edicionit të 29 të festivalit të këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit”, këngës për fëmijë “Fluturat 2017” dhe “Rock live”, Studio Helix dhe Komuna e Prizrenit, ftojnë të gjithë kompozitorët nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora që të konkurrojnë me krijimet e tyre më të reja. Konkursi mbetet i hapur deri me 6 shtator.

Festivali “Zambaku i Prizrenit” duke qenë festivali i vetëm në Kosovë, i këngës së vjetër qytetare, nëpër vite ka ruajtur frymën e vlerave të mirëfillta dhe është shndërruar në një nga aktivitetet që hyjnë në përshkrimin e ngjarjeve të qytetit. Ndër të tjera Prizreni quhet edhe qyteti i “Zambakut…”

Këtë vit për shkak të procedurave tenderuese, formë kjo e dhënies në organizim të, Festivalit, “Zambaku i Prizrenit”, (anulimit dy herë të tenderit), festivali “Zambaku i Prizrenit”, “Fluturat” dhe Rock live do të mbahen në pjesën e fundit të muajit shtator.

Studio Helix, kompani kjo muzikore që merret me organizimin e aktiviteteve muzikore, rezistoi dhe fitoi tenderin për organizimin e Festivalit të këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit”, duke u ballafaquar me Kompani për kultivimin e luleve në kopshte dhe kompani qe merren me printim dhe reklama.

“Duke e parë gjendjen në të cilën e sollën festivalin e këngës së vjetër qytetare, disa organizatorë të papërgjegjshëm, dhe Kompani të tjera të ngjashme të cilat mendjen e kanë te përfitimi dhe jo te organizimi i mirëfilltë, Studio Helix që nga viti i kaluar kur e organizoi edicionin e 28  me vullnetin dhe dëshirën më të mirë po  synon, që këtij festivali të ia kthejmë namin që e ka. Edicioni i 28 i vitit të kaluar ishte pikë kthese në shpëtimin e Festivalit “Zambaku i Prizrenit”, i cili për disa vite ishte para dilemës të mbahej apo të mos mbahej, prandaj studio Helix me edicionin e 29 premton se jo vetëm me organizim cilësor të festivalit por edhe cilësinë e pjesëmarrjes së këngëve të vjetra qytetare, do të ia kthej namin që e ka festivali “Zambaku i Prizrenit”, thotë Istref Krasniqi drejtor i Studio Helix.

Konkursi

Pas nënshkrimit të Kontratës, Studio Helix në bashkëpunim me Kuvendin Komunal në Prizren shpall konkursin për pranimin e këngëve konkurruese për festivalin e këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit 2017”, “Fluturat” dhe Rock Live.  Kushtet për konkurrim janë këto:

–  Këngët konkurruese duhet të kenë vlera të mirëfillta muzikore në frymën e këngës së vjetër qytetare:

–  Këngët konkurruese për “Fluturat” duhet të kenë vlera të mirëfillta të këngës për fëmijë.

–  Këngët për festivalin Rock live duhet të kenë vlera të muzikës Rrock

Pjesëmarrësit në konkurs duhet të dërgojnë demo incizimin e këngës dhe tekstin në dy kopje.

Punimet dërgohen me shifër, ndërsa në zarf të veçantë dërgohet emri dhe mbiemri i plotë i autorit me adresë të saktë dhe me numër të telefonit.

Do të shqyrtohen vetëm kompozimet e reja të cilat janë në frymën e muzikës së vjetër qytetare.

Festivali ka karakter garues.

Punimet duhet të dorëzohen deri më 6 shtator në adresën Rruga e Saraçëve, numër 3B, ose në adresën elektronike [email protected] me shenjën për Festivalin “Zambaku i Prizrenit 2017. Edicioni i 29 i Festivalit Zambaku i Prizrenit do të mbahet në ditët e fundit të muajit shtator.

Informatat më të hollësishme mund të merren në numrin e cel 044/049 187 394

Shpërblimet:

Juria profesionale ndan tri vendet e para për këngët më të mira të festivalit. Kënga fituese shpërblehet me trofeun “Zambaku i Argjend”, përderisa votat e publikut përcaktojnë këngën më të mirë të zgjedhur nga publiku e cila shpërblehet me trofeun “Mikrofoni i Artë”.

Kënga që do të zërë vendin e parë, përveç  “Zambakut të Argjend” do të shpërblehet me shumën prej 500 Euro, vendin i dytë, do të shpërblehet me shumë prej 300 Euro dhe vendi i tretë do të shpërblehet me shumën prej 200 Euro. Kënga më e mirë e zgjedhur nga publiku përveç me “Mikrofonin e  Artë” do të shpërblehet edhe  prej 300 Euro. Trofeu “Zambaku i Argjend” i takon kompozitorit, ndërsa Trofeu “Mikrofoni i Artë” i takon këngëtarit, Shpërblimet tjera në mënyrë të barabartë i takojnë këngëtarit dhe kompozitorit të këngëve fituese.

Gjithashtu do të ndahen shpërblimet tradicionale për këngët më të mira të festivalit “Fulturat 2017” dhe Rock Live 2017.