Zafir Berisha thotë se bandat synojnë ta eliminojnë nga gara

Zafir Berisha thotë se bandat synojnë ta eliminojnë nga gara

Kandidati për kryetar të Prizrenit nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha, ka thënë se nuk ka informacion zyrtar  nga KQZ-ja që është diskualifikuar për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor të këtij viti.

“Nuk jam i njoftuar për këtë punë, e di që bëhet fjalë për 140 euro për një dënim të KEK-ut. Por ende nuk kam informatë zyrtare”, ka thënë Berisha për Gazetën Insajderi.

Ai ka bërë të ditur se gjykata e kishte shpallur fajtor për lidhje ilegale të rrymës në biznesin e tij dhe ishte dënuar më 140 euro gjobë.

Për këtë vendim Berisha ka thënë se është ankuar në Gjykatën e Apelit, por që nuk di më shumë rreth lëndës.

“Gjykata më ka shpallë fajtor, unë jam ankuar në Gjykatën e Apelit, sepse nuk mu ka dok normale ajo. Kjo ka të bëjë lidhur me biznesin tim të cilin që 9 vjet e menaxhoj. Normalisht jam pronar i objektit. Kam bërë ankesë dhe e kam lënë këtë punë si diçka dytësore”, ka shtuar më tej ai.

Sipas Berishës, krejt kjo propagandë po bëhet për ta eliminuar nga gara politike.

“Nuk e di nëse është vepër e rëndë penale, por para tre muajsh me këto ligje kam qenë në zgjedhjet parlamentare. Kjo ka të bëjë që, me çdo kusht eliminimin nga gara për t’jua liruar bandave me e marrë Prizrenin”, ka thënë tutje Berisha për Insajderin.

Për më tepër, Drejtori i ‘Demokraci Plus’, Valmir Ismaili, ka thënë se Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën, është decertifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Ismaili, i cili monitoron punën e KQZ-së, ka thënë se kjo është bazuar në një vendim të tetorit të vitit 2015.

“Zafir Berisha decertifikohet nga KQZ, bazuar në një vendim përfundimtar të datës 12.10.2015. Mirë që u decertifiku, por ku ka qenë ky vendim më herët për zgjedhje qendrore?”, ka shkruar Ismaili në Facebook./Insajderi.com