Zaev: Populli i Maqedonisë dhe i Serbisë kanë histori të përbashkët

Zaev: Populli i Maqedonisë dhe i Serbisë kanë histori të përbashkët

“Maqedonia dhe Serbia do të zhvillojnë marrëdhënie dypalëshe të suksesshme dhe përmes tyre do të kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit në rajon”, tha kryeministri Zoran Zaev në intervistë për gazetën “Politika”, gjatë kohës së qëndrimit të tij zyrtar në Serbi.

Ai theksoi se në Beograd ndjehet si në shtëpinë e tij, ndërsa në Serbi ka udhëtuar me qëllim që të përparojnë marrëdhëniet mes dy shteteve dhe të zhvillohet bashkëpunimi në nivel që sipas tij, meritojnë dy vendet dhe popujt e tyre, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Zaev në intervistë tha se situata e sigurisë dhe politike në Maqedoni është e sigurtë.

“Situata politike dhe e sigurisë në Maqedoni është stabile, proceset e reformave i udhëheqim me kujdes, duke mbajtur llogari për qytetarët dhe interesat shtetërore, ndërsa me udhëheqësitë aktuale politike në rajon, jam i bindur se jemi në rrugë të duhur për qëllimet tona strategjike”, shtoi Zaev.

Ai mes tjarash tha se populli i Maqedonisë dhe i Serbisë kanë histori të përbashkët dhe mbi këtë mund të ndërtohet e ardhmja.