“z. Veseli, a jeni i gatshëm t’i nënshtroheni Vettingut?!”

“z. Veseli, a jeni i gatshëm t’i nënshtroheni Vettingut?!”

Duke marrë shkas nga deklarata publike e bërë nga Kryeparlamentari i rizgjedhur i Parlamentit të Kosovës , z. Kadri Veseli më 8 shtator, të vitit 2017, me thirrjen e tij për të iniciuar ‘vetting-un’ në Kosovë, ndjej për obligim të njoftoj opinionin e gjerë rreth kësaj çështjeje.

Procesi i verifikimit të sigurisë, apo ‘vetting-u’ (nga gjuha angleze), siç njihet koncepti i verifikimit të sigurisë nga laikët e kësaj fushe, ekziston dhe ka lëshuar rrënjë të thella në Kosovë që nga vitit 2010. Ky proces ka filluar si obligim i dalë  nga Plani i Ahtisaarit për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës dhe është zhvilluar sipas standardeve, nën mbikëqyrje të afërt dhe mentorim të misionit të NATO-s, gjegjësisht të Njësisë për Verifikim të  Sigurisë (NATO Force Vetting Unit) në kuadër të KFOR-it.

Procesi i Verifikimit të Sigurisë është i bazuar në LIGJIN NR. 03/L-178 PËR KLASIFIKIMIN E INFORMACIONEVE DHE VERIFIKIMIN E SIGURISË, i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës me 1 korrik të vitit 2010 dhe i publikuar në Gazetën Zyrtare të REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI V/Nr. 76 / 10 GUSHT 2010. Në harmoni të plotë me këtë ligj janë krijuar institucionet përkatëse siç është Departamenti i Verifikimit në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë si institucion përgjegjës për verifikimin e sigurisë së personave të cilët mbajnë një detyrë zyrtare, dhe në anën tjetër, sektorët/ njësitet/zyrat përkatëse të krijuara enkas për menaxhimin e procesit të verifikimit në institucionet publike, të cilat janë përgjegjëse për bashkëpunim të ngushtë me AKI-në lidhur me inicimin e procedurave të verifikimit si dhe menaxhimin e rezultateve pozitive dhe negative të këtyre procedurave.

Pararendëse e këtij procesi dhe standardi kaq të rëndësishëm është Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Është ky institucion publik që ka filluar procesin e verifikimit me themelimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Themelimi i FSK-së dhe rekrutimi i pjesëtarëve të saj është bërë nga NATO, e cila ka kushtëzuar me kalimin e procedurave të verifikimit për secilin kandidat që i është bashkëngjitur kësaj force, dhe jo vetëm! NATO në Kosovë, gjithashtu ka ndihmuar MFSK-në për krijimin e modelit më të avancuar për menaxhimin e verifikimit, bazuar kryesisht në modelin britanik ku edhe ka lindur ky proces për parandalimin e infiltrimeve, spiunimit, sabotazhit e terrorizmit! Krijimi i këtij procesi është përmbyllur më 9 korrik të vitit 2013 me aprovimin e Kapaciteteve të Plota Operacionale të FSK-së nga Asambleja e NATO-s. Ky proces është funksional në Kosovë tani e shtat vite dhe si i tillë është i pranueshëm për shtetet anëtare të NATO-s!

Departamenti i Verifikimit në AKI sikurse edhe stafi i Sektorit të Verifikimit në Ministrinë e Forcës së Sigurisë, për shkak të natyrës së punës dhe rëndësisë, i janë nënshtruar trajnimit të përbashkët për të arritur këto kapacitete si dhe për të operacionalizuar bashkëpunimin institucional në mes tyre. Kjo praktikë duhet t’i ketë shërbyer AKI-së për të zhvilluar bashkëpunimin e ngjashëm edhe me institucionet tjera publike. Më e pakta, Kuvendi i Kosovës i mandatit të kaluar dhe të tanishëm duhet të jetë në dijeni për këtë. Ndërsa qeveritë e Kosovës në vazhdimësi janë informuar zyrtarisht për këtë proces përmes raporteve të rregullta në nivelin qendror.

Për të operacionalizuar procesin e verifikimit, Ministria e Forcës së Sigurisë ka krijuar të gjithë mekanizmat e brendshëm siç janë Procedurat Standarde Operative për Menaxhimin e Verifikimit si dhe Udhëzuesin për Menaxhimin e Verifikimit për Operatorët Ekonomik, për të verifikuar kompanitë e kontraktuara nga institucioni publik.

Iniciativa e Kryeparlamentarit Veseli mund të jetë e vonuar si pasoje e mungesës së informacionit ose vetëdijesimit të vonuar rreth kësaj çështjeje. Por, një iniciativë e tillë për të kthyer vëmendjen nga verifikimi është shumë inkurajuese. Posaçërisht për faktin se ky proces ka hasur në pengesa serioze nga persona që janë në pozita të larta e të cilët nuk e kanë kaluar verifikimin! Në fund të vitit 2014, në një institucion publik në Kosovë ka pasur ndërhyrje të paligjshme për të ndryshuar procesin e verifikimit. Kjo ndërhyrje është bërë me qëllim që të fitohet kohë nga persona me përgjegjësi të lartë të cilët nuk kanë arritur të kalojnë verifikimin në afatet e parapara ligjore! Ata persona edhe sot e kësaj dite janë duke mbajtur pozitat e tyre ilegalisht dhe janë duke përfituar nga pasuria publike. Këto shqetësime janë adresuar me kohë në Prokurorinë e Shtetit!

Ftesa për verifikim (‘vetting”) dhe mbështetja e kryeparlamentarit në vazhdimin e procesit nga aty ku është ndërprerë ilegalisht është më shumë se inkurajuese! Si udhëheqëse e këtij procesi për pesë vite e që është koha më e gjatë në historinë e verifikimit në Kosovë që dikush ka udhëhequr me këtë proces në Kosovën e pasluftës), mund t’i sugjeroj Kryeparlamentarit dhe çdo udhëheqësi të një institucioni publik në Kosovë që menjëherë dhe pa u vonuar të iniciojnë procedurat e verifikimit, së pari, për secilin deputet të Parlamentit të Kosovës, për kryeministrin e ri, ministrat dhe stafin në pozita me rëndësi dhe ndikim të drejtpërdrejtë për kredibilitetin e Kosovës; për Policinë e Kosovës; për Gjykatat e Kosovës dhe për Prokurorinë e Shtetit. Me të drejtë kërkohet verifikimi (apo vetting-u) në këtë kohë gjuajtje shtrigash ndaj njëri-tjetrit për të fajësuar ose shfajësuar, anatemuar ose pranuar personat publikë në institucionet e Kosovës sipas interesave të grupeve të ndryshme të interesit.

Verifikimi (apo vetting-u) nuk është asgjë tjetër pos tërheqjes së vijës së qartë mes atyre që nuk kanë të kaluar kriminale dhe atyre që kanë! Me këtë proces mbrohen institucionet e individët dhe u jepet fund akuzave dhe kundërakuzave ndaj njëri-tjetrit pasi që procesi i verifikimit ka mekanizma zinxhiror për të garantuar një sistem mjaft kredibil. Është me rëndësi të kuptohet megjithatë se procesi i verifikimit nuk e përcakton ose paragjykon fajësinë apo pafajësinë e individit i cili i nënshtrohet procedurave të verifikimit, por thjesht e vlerëson nëse një person është i përshtatshëm për shërbim publik dhe për menaxhimin me asetet dhe pronën shtetërore.

Verifikimi në Kosovë është funksional dhe bëhet sipas LIGJIT NR. 03/L-178 PËR KLASIFIKIMIN E INFORMACIONEVE DHE VERIFIKIMIN E SIGURISË (në gjuhën angleze: Law 178 on Classification of Information and Security Clearances), Kreu III – Siguria e Personelit) dhe vetëm duhet të zbatohet. Bazuar në praktikat demokratike nuk është e pranueshme që të krijohet një proces paralel i verifikimit për të zëvendësuar procesin ekzistues. Zhbërja apo zëvendësimi i një procesi tashmë mirë të konsoliduar dhe i vlerësuar sipas standardeve të Aleancës Veri-atlantike do t’i bënte dëm të madh Kosovës dhe sigurisë së saj! Për më tepër do të nëpërkëmbte një proces shumë të mundimshëm nëpër të cilin kanë kaluar rreth 2500 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe familjarë të tyre, shërbyesit civilë të MFSK-së dhe këshilltarë politikë të të gjithë ministrave që nga themelimi i MFSK-së, me përjashtim të këtij të fundit. Për më tepër, përfillja e procesit ekzistues të verifikimit mundëson procedimin e menjëhershëm  dhe pa humbur kohë të kërkesave për verifikim apo ‘vetting’ për të gjitha institucionet dhe personat e interesuar.

Verifikimi nuk është një proces i dhimbshëm dhe as i frikshëm! Për të gjithë ata të cilët nuk kanë asnjë arsye t’i frikësohen. Për më tepër është nder për institucionin ku shërben dhe për rritjen e besimit në të ardhmen e Kosovës si shtet normal që mëton t’i bashkëngjitet familjes evropiane.

Unë i jam nënshtruar këtij procesi dhe e kam kaluar me sukses, po ti?

(Titulli është i redaksisë)

Autorja është ish-shefe e Sektorit të Verifikimit në Ministrinë e Forcës së Sigurisë dhe themeluese e këtij Sektori. Ajo është magjistre në fushën e Kundërterrorizmit dhë Kontrollit të Armëve Nukleare, Kimike dhe Biologjike, e diplomuar me 2009 në Monterey Institute of International Studies, në Monterey të Kalifornisë  si dhe Magjistër i Politikave Publike dhe Sociale, e diplomuar me 2006 në Universitetin Duquesne në Pittsburgh te Pensilvanise në ShBA.