Ymeri: Votuesit serbë kishin presion nga Beogradi

Ymeri: Votuesit serbë kishin presion nga Beogradi

I pari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se në zgjedhjet e 11 qershorit vullneti i votuesve serbë është deformuar nga presioni dhe struktura e Serbisë dhe Listës Serbe.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Ymeri ka thënë se Partia Liberale e drejtuar nga Sllobodan Petroviq nuk kishte bërë fare fushatë parazgjedhore, si pasojë e kërcënimit të hapur nga Lista Serbe.

“Në zgjedhjet e 11 qershorit, vullneti i votuesve serbë të Republikës së Kosovës është deformuar përmes presionit nga strukturat e Serbisë dhe Lista Serbe. Fillimisht kjo është bërë mbi partitë tjera lokale serbe, duke detyruar që të tërhiqen nga gara, siç ishte rasti me një parti, e cila ka tërhequr listën e kandidatëve nga zgjedhjet pas presionit nga Beogradi. Ndërkaq, Partia Liberale e drejtuar nga Sllobodan Petroviq nuk kishte bërë fare fushatë parazgjedhore, si pasojë e kërcënimit të hapur nga Lista Serbe mbi mbështetësit e tij se do të largohen nga puna”, ka shkruar Ymeri.

Ndër tjerash Ymeri ka thënë se në televizionet e Serbisë janë ftuar që të votohet Lista Serbe.

“Edhe gjatë heshtjes zgjedhore, madje edhe në ditën e zgjedhjeve, nëpër programet e ndryshme të kanaleve televizive të Serbisë që ndiqen masivisht nga serbët në Kosovë, janë ftuar hapur serbët që të votojnë për Listën Serbe”, ka shkruar tutje Ymeri.

Sipas Ymerit, “përmes komisionerëve e zyrtarëve zgjedhorë në komunat veriore, praktikisht vetëm Lista Serbe ka pasur anëtarët e saj në komisione, duke bërë kështu që të ketë kontroll të plotë në vendvotime dhe të organizojë dhe zbatojë skemën e votimit vetëm për Listën Serbe, pa u vërejtur dhe pa u denoncuar”, ka thënë Ymeri.

Ymeri ka thënë se “Kontrolli mbi votuesit është shtrirë nga sjellja kundërligjshëm e 4.000 aplikacioneve për t’u regjistruar si votues, ardhja e dhjetëra autobusëve nga Serbia për të votuar për Listën Serbe, presioni mbi votuesit e kontrolli i tyre deri në atë masë sa një mjek nga Shtërpca kishte lëshuar mbi 150 diagnoza të falsifikuara, si kusht për të votuar nga shtëpia, e tërë kjo si mënyrë e kontrollimit të votuesve”

Po ashtu Ymeri ka thënë se “Lista Serbe jo vetëm që përfaqëson Beogradin në Kosovë dhe jo serbët e Kosovës, por ajo edhe e ka deformuar vullnetin e qytetarëve serbë të vendit tonë”. /Insajderi.com