Ymeri: U parandalua grusht-shteti nga LDK e PDK

Ymeri: U parandalua grusht-shteti nga LDK e PDK

Visar Ymerit nuk i duket e tepërt t’i quajë kërkesat e LDK-së e PDK-së për rinumërim votash në Prishtinë e Prizren “një lloj grusht-shteti” që u tentua të bëhej.

Prandaj kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje e quan fitore të madhe vendimin e gjykatës Supreme për anulim të vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërim të votash në dy komunat më të mëdha të Kosovës.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Ymeri, bashkë me nënkryetarin Dardan Sejdiun, janë shprehur të lumtur e të bindur se vendimi i Supremes ishte i drejtë.

“Kjo është një fitore e madhe”, deklaron Ymeri, duket shtuar se “vendimi absurd dhe arbitrar i mëhershëm u hodh poshtë dhe u pamundësua ndërhyrja në procesin demokratik”.

“Kështu u pamundësua një lloj grusht-shteti që u provua nga LDK e PDK”.

Ymeri ka falënderuar edhe qytetarët pasi është i bindur se Supremja e mori vendimin bazuar edhe në trysninë e qytetarëve.

“Ky vendim erdhi edhe për shkak të trysnisë së qytetarëve. Kjo dëshmon sa e rëndësishme është që të jemi vigjilentë e të angazhuar që ta mbrojmë demokracinë e drejtësinë. Edhe njëherë qytetarët i urojmë për këtë fitore”.

Ndërsa Sejdiu ka kërkuar që tashmë numërimi i votave me kusht të fillojë menjëherë e kështu Vetëvendosje ta merr pushtetin në Prishtinë e Prizren dhe të vazhdojë me punë.

“Duke e mbyllur këtë proces sa më herët, mundësojmë që kryetari Ahmeti të vazhdojë me punën e kryetari Haskuka të fillojë me punën. Prandaj ne kërkojmë nga vëzhguesit që të jenë syçelë në mënyrë që procesi të mbarojë si duhet”, deklaroi Sejdiu.