Ymeri i përgjigjet Thaçit lidhur me ekipin e unitetit për bisedime me Serbinë

30.08.2017 17:05
Ymeri i përgjigjet Thaçit lidhur me ekipin e unitetit për bisedime me Serbinë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndryshojë “në premisa dhe jo thjeshtë në përbërje”. Ai këto komente i ka bërë pas propozimit të Presidentit Thaçi për krijimin e një ekipi të unitetit për bisedimet me Serbinë.

“Hashim Thaçi paska paralajmëruar formimin e një Grupi të Unitetit për dialogun me Serbinë. A thua ku është nisur?! Siç duket, Thaçi nuk ka marrë lajme tash 3 muaj. Le t’i tregojë dikush se ky dialog që prodhoi “Zajednicën” ka marrë një refuzim masiv popullor”, ka shkruar Ymeri në llogarinë e tij në Facebook.

“Vërtet është gjë e mirë bashkimi, por përpara kësaj duhet të shohim se cili është projekti rreth të cilit po bashkohemi. Bashkim për t’u rreshtuar para kërkesave të Vuçiqit?! Jo faleminderit! Bashkim për të diskutuar modalitetet e ndarjes së brendshme?! Jo faleminderit!”, ka deklaruar Ymeri.

Sipas tij, ideja e Thacit lidhur me bisedimet me Serbinë po bëhën në ditën e të pagjeturëve, kur Kosova ka mbi 1600 persona që ende figurojnë të zhdukur.

“Sot është 30 gushti, Dita Ndërkombëtare e të Pagjeturve. Ndërkohë që Thaçi vërtitet për ta vazhduar avazin e vjetër të dialogut me Serbinë, 1685 persona figurojnë ende të zhdukur”, ka thënë Ymeri.

Sipas tij, dialogu duhet të “ridefinuar nga e para”.

“Ai duhet të ndryshojë në premisa, dhe jo thjesht në përbërje. Ajo që ka ndodhur deri tash duhet të hetohet nga Kuvendi dhe të zbardhen të gjitha prapaskenat e këtij dialogu që na ka sjellur deri këtu. Secili dialog eventual në të ardhmen duhet të bazohet mbi parimin e barazisë e reciprocitetit midis palëve, si parime që definojnë fqinjësinë e mirë”, ka thënë ai.

“Dialogu kërkon koncensus shoqëror. Por Thaçi as nuk e ka kredibilitetin e as përgatitjen politike e intelektuale për një gjë të tillë. Ai është përgjegjësi kryesor prapa Zajednicës, dhe nënshtrimit të gjithëmbarshëm politik karshi interesave të Serbisë. Ai personifikon të kundërtën e vullnetit të qytetarëve të shprehur me votë më 11 qershor”, ka shtuar Ymeri./Insajderi.com