Ymeri: Ofendimet dhe arrestimet e qeverisë janë të dënueshme

Ymeri: Ofendimet dhe arrestimet e qeverisë janë të dënueshme

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka reaguar sot për arrestimet e fundit të Policisë së Kosovës ndaj anëtareve të këtij subjekti.

Në një konferencë për media, ai ka dhënë sqarime për mënyrën se si sot Policia e Kosovës ka arrestuar sekretarin e këtij subjekti, Dardan Molliqaj, duke e quajtur këtë si fushatë të policisë ndaj Vetëvendosjes.

“Fushata policore ndaj Vetëvendosjes po vazhdon.  Sot është arrestuar Dardan Molliqaj, ku gjatë arrestimit i është thyer banesa  e cila është bastisur gjatë kohës sa ka ndodhur arrestimi”, ka thënë Ymeri.

Ymeri po ashtu ka folur edhe për deklaratën e zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi se protestuesit e djeshëm u larguan nga sheshet si qyqar.

“Regjimit të këtij pushteti i ka mbetur vetëm policia. Qeveria e kërcënoi opozitën dhe protestuesit, dhe këto ofendime janë të papranueshme dhe të dënueshme”, ka thënë ai.

Ditëve të fundit, disa anëtarë të Vetëvendosjes janë arrestuar nga Policia e Kosovës, përfshirë Glauk Konjufcën, shef i grupit parlamentar, dhe zëdhënësin Frashër Krasniqi.  Të dy këta janë arrestuar nën dyshimin se kanë marrë pjesë në demolimin e veturave të EULEX-it në vitin 2009.

Ymeri ka kërkuar që të bëhet lirimi i menjëhershëm i tyre.

“Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Dardan Molliqajt dhe të të gjithë aktivistëve të tjerë që po mbahen politikisht nëpër burgjet e regjimit”./Insajderi