Ymeri: Më mirë një fitore sesa dy barazime

06.09.2016 12:19

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje u është përgjigjur zërave kritik ndaj tij, i cili mbrëmë ishte në përkharje të kombëtares së Shqipërisë dhe jo të asaj nga Kosova.

Ymeri: Më mirë një fitore sesa dy barazime

“Shqiptarët duhet ta kenë një kombëtare të përbashkët edhe në sport. Ideja provinciale e pavarësisë së Kosovës si pavarësi nga Shqipëria është shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet Serbisë”, ka shkruar Ymeri në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka marrë shembullin e dy Gjermanive, duke thënë se ata gjithmonë e kishin mendjen të bashkoheshin.

“Dikur Gjermania lindore fitonte trofe e medale shpeshherë edhe më shumë sesa Gjermania perëndimore nëpër garat sportive. Mirëpo, dy Gjermanitë kurrë nuk e braktisën synimin e bashkimit dhe e realizuan atë. Le të mos përpiqemi të bëhemi më të mençur sesa gjermanët”, ka shkruar më tej Ymeri.

“Në futboll ishim bashkë. Dhe bashkë korrnim fitore. Në vend se të bashkohemi aty ku jemi të ndarë, ne po ndahemi aty ku ishim bashkë”, ka përfunduar qëndrimin e tij ndaj kritikëve kreu i LVV-së, Visar Ymeri./Insajderi.com