Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e ka konfirmuar pranimin e ftesës nga i nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN.
Por Ymeri ka thënë se brenda kësaj ftese ka shumë paqartësi.
“Sot kam pranuar një letër prej Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt. Prej letrës së tij, kuptohet që z. Haradinaj dëshiron takim, por nuk është i qartë qëllimi i këtij takimi”, ka shkruar Ymeri në llogarinë e tij në Facebook.
“Nëse është fjala për koordinimin e mbledhjes së parë të Kuvendit ky nuk është roli e as detyra e z. Haradinaj. Duke qenë vetëm njëri prej deputetëve të legjislaturës së gjashtë Z. Haradinaj nuk e ka rolin e koordinimit dhe konsultimit për mbledhjen e parë”, ka shtuar më tej Ymeri.
Por kreu i Vetëvendosjes ia ka bërë të qartë Haradinajt se kur do ta pranonte një ftesë të tillë.
“Në qoftë se z. Haradinaj po na fton për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit për qeverisje ai takim mund të pranohet vetëm kur ftesa bëhet nga pozita e kryetarit të AAK dhe pasi të dalë prej PAN-it”, ka përfunduar postimin e tij Ymeri./Insjaderi.com