Ymeri: Dy akuzat që pranuam nga ‘njerëzit e Albin Kurtit’

Ymeri: Dy akuzat që pranuam nga ‘njerëzit e Albin Kurtit’

Ish-kryetari i Lëvizjes Verëvendosje, Visar Ymeri ka thënë sot se Albin Kurti e ka nisur dhe nxitur përçarjen në subjekt, teksa, sipas tij, Kurti ka qenë orkestrues i linçimeve ndaj tij dhe të tjerëve.

“Deri në atë moment unë kam pas një shpresë të jashtëzakonshme se problemi do të zgjidhet. Pra, kam menduar se do të kemi mirëkuptim nga të gjitha palët sidomos nga Albini për të hequr dorë nga organizmi i kësaj fushate. Unë mendoj se Albini e ka nis edhe e ka nxit një gjë të tillë, natyrisht që nuk mund ta fajësoj për secilën mënyrë edhe secilën gjë, pra ajo është nisur dhe mirëmbajtur nga Albini”, ka thënë Ymeri.

Ai po ashtu tregoi se kjo fushate ishte nisur për t’i eliminuar disa njerëz nga Vetëvendosje.

Ymeri tha se kjo fushatë ka qenë me dy akuza kryesore.

“Njërën anë ka qenë akuza se njerëzit e caktuar dyshohet se po punojnë vetëdijshëm ose pa vetëdijshëm për shërbime të huaja, gjë e cila nuk është faktuar kurrë, dhe akuza tjetër ka qenë se ka një rehati të njerëzve nëpër pozicionet e tyre të cilët i keqkuptojnë ato pozicione sikur pushtet dhe i përdorin ato pozicione për të ushtruar pushtet përmbi organizatën, këto kanë qenë dy akuzat asnjëherë të faktuara”, tha ndër tjerash Ymeri.