Ylli i Arsenalit Petr Cech: Periudha më e vështirë sa isha në Chelsea

21.01.2016 09:47
Ylli i Arsenalit Petr Cech: Periudha më e vështirë sa isha në Chelsea

Petr Cech ka treguar se përplasja dhe lëndimi që kishte pësuar në kafkë, në vitin 2006 ka qenë moment më i vështirë që ka kaluar tek skuadra e Chelseas, njofton tabloidi anglez ‘Express’, transmeton Insajderi.

Portieri i Arsenalit i shpëtoi një lëndimi që ka mundur t’ia përfundonte karrierën, 9 vite me parë kur u përplas me futbollistin e Readingut, Stephen Hunt.

Ai mbeti rreth 3-muaj jashtë fushave, për t’u kthyer përsëri, por që prej atëherë ai mbanë një helmetë në kokë, për ta mbrojtur nga një lëndim i njëjtë eventual.

Por, 33-vjeçari ka vazhduar të shkëlqejë ne Premier League që prej asaj kohe, si me Chelsean ashtu edhe me ekipin tjetër londinez, Arsenalin, tek e cila u transferua gjatë verës së vitit të kaluar.

“Kishte shumë njerëz që mendonin se ky ishte fundi dhe se unë nuk do të mund të luaja përsëri”, tha Cech.

Portieri 33-vjeçar tha se ajo periudhë ishte një sfidë e madhe për të, pasi disa herë mendoi që të mos kthehej fare në fushën e blertë. Cech, tani pjesë e Arsenalit kërkon ta fitojë trofeun e pestë personal te Premier Ligës dhe të parin me ekipin e ‘topçinjve’.