Xhirimet e kamerave pjesë e hetimit të sulmit kundër Olluri

18.08.2017 10:45
Xhirimet e kamerave pjesë e hetimit të sulmit kundër Olluri

Xhirimet e lokaleve përreth vendit ku të mërkurën mbrëma u sulmua fizikisht Drejtori i Gazetës Insajderi, Parim Olluri, janë marrë dhe janë duke u trajtuar nga policia.

Përmes këtyre xhirimeve pritet të zbulohen sulmuesit e Ollurit. Policia ka arritur t`i shoh fytyrat e tre personave që e grushtuan atë në prani të të fejuarës, para hyrjes së banesës në Prishtinë.

Olluri ka thënë se njëri prej sulmuesve shihet më mirë në xhirime, por që ai nuk e njeh se kush është.

Ndërkaq është i bindur se motivet e sulmit kanë të bëjnë pikërisht me punën e tij si gazetarë.

Ai ka thënë se sulmet pas shpine të gazetarëve i bëjnë më të fortë, dhe tregohet se sa të ligë janë ata për të cilët shkruajnë gazetarët.

“Neve, gazetarëve këto sulme pas shpinës na bëjnë edhe më të fortë. Na tregojnë sa njerëz të ligë janë ata për të cilët raportojmë. Nëse kanë menduar se Insajderi do të ndalet së publikuari aferat mafioze të tyre, janë gabuar rëndë. Ata duhet të kenë frikë nga ne gazetarët, e jo ne të frikësohemi nga të korruptuarit”, ka shkruar Olluri.

Olluri ka thënë se puna në Gazetën Insajderi do të vazhdojë duke qenë të ashpër ndaj luftimit të së keqes.

Besim Kelmendi, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ka deklaruar se të gjitha rastet që kanë të bëjnë me sulme ndaj gazetarëve, trajtohen me prioritet.

“Të gjitha rastet janë duke u trajtuar me prioritet dhe ky rasti i fundit që ka ndodhur dje me zotin Parim Olluri është duke u trajtuar me prioritet. Ne e kemi ftuar zotin Olluri që të jetë vazhdimisht në kontakt me ne për ta mbështetur. Pra, çdo rast që po ndodh trajtohet me prioritet”, tha Kelmendi.

Ndaj sulmit kundër Ollurit, kanë reaguar ambasadat, organizatat ndërkombëtare në Kosovë, politikanë, komuniteti i gazetarëve e shoqëria civile.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka dënuar dhunën ndaj drejtorit të Insajderit, Parim Olluri.

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell ka bërë thirrje që “ata që kanë informacione rreth sulmit ta kontaktojnë policinë: ky do të ishte një akt patriotik”, ka përfunduar O’Connell.

Organizata “European Federation of Journalists” e cila është organizata më e madhe që përfaqëson gazetarët e Evropës, u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të bëjnë një hetim të shpejtë në sulmin ndaj gazetarit dhe të partnerit të tij.

EULEX përmes një reagimi, kanë cilësuar sulmin ndaj Ollurit si sulm ndaj lirisë së shprehjes.

OSBE duke reaguar për këtë sulm kanë thënë se gazetarët duhet të jenë të lirë të japin qëndrimet e tyre pa pasur frikë nga dhuna apo lëndimet fizike. /Insajderi.com