Një lidhje reale...

15.07.2017 14:08

Xhihadizmi i ISIS-it vazhdon të jetojë

16.07.2017 15:41
Xhihadizmi i ISIS-it vazhdon të jetojë

Loay Mudhoon

Fundi territorial i kalifatit të IS-it është vulosur tashmë. Por ende nuk mund të bëhet fjalë për shtensionim, sepse IS është vetëm një simptomë e krizës së shtetit, mendon Loay Mudhoon.

S’ka asnjë dyshim: në aspektin territorial projekti i krijimit të shtetit xhihadist prej të vetëquajturit “Shteti Islamik” (IS) faktikisht ka dështuar. Terroristët IS në muajt e fundit kanë pësuar një sërë humbjesh prej ushtrisë irakiane dhe “njësive popullore të mobilizuara” shiite, një aleancë kjo e forcave paraushtarake e organizuar nga Irani.

Vendimtare për këtë kthesë në luftën kundër terrorit të IS-it padyshim ishin sulmet masive nga ajri të koalicionit të drejtuar nga SHBA-ja; këto e hapën rrugën për shkatërrimin e Kalifatit të dëshiruar, edhe pse kjo u arrit duke pranuar dëmet fatale “kolaterale” në radhët e popullsisë civile.  Me ripushtimin e qendrave të tij në Mosul të Irakut dhe në Raka të Sirisë tashmë është vulosur të paktën fizikisht fundi i kalifatit të IS-it në lindje të Arabisë.

Por këto “suksese” nuk duhet të shpien në iluzionin, se humbja e kontrollit do të thotë edhe fundi i kësaj organizate ordinere terrori, qoftë në Irak apo edhe në mbarë botën. Një pjesë e madhe e xhihadistëve të IS-it ndërkohë kanë dalë në ilegalitet – dhe me sa duket mund të përgatitet për luftën e mundimshme guerrilase kundër pushtetit shtetëror në vendin e dy rrymave.

Edhe shumë xhihadistë duhet të jenë kthyer në Evropë ndërkohë. Disa prej tyre sigurisht që ndodhen nën survejim, por me gjasë disa prej tyre mund të jenë si një “minë me sahat”, që mund ta zhvendosin në qytetet perëndimore luftën e shenjtë.

Kalifati i IS-it një simptomë e krizës

Teologjikisht dhe në aspektin e historisë pseudo kalifati i IS-it nuk mund të legjitimohet as nga tekstet e njohurive bazë të Islamit.

Ideatori i këtij kalifati dhe i vetëquajturi (tashmë me sa duket ka ndërruar jetë) Kalifi Abu Bakr al-Baghdadi përfaqëson më shumë thyerje infantile civilizimi, teori të prapambetura shpëtimi dhe një sundim djallëzor i paparë ndonjëherë i tmerrit, që ka krijuar një brez të ri të xhihadistëve të shfrenuar e primitivë.

Edhe pse ideja e Shtetit Islamik ende jeton, rreziku i vërtetë i rilindjes së tij nuk argumentohet me atraktivitetin e ideologjisë së tij neofashiste, por me shkaqet sociale e politike të krijimit të tij, që vazhdojnë të ekzistojnë.

Sikurse dihet forcimi i IS-it është i lidhur ngushtë me shpërbërjen e shtetit në Irak dhe në Siri. Pa margjinalizimin dhe përndjekjen sistematike të sunitëve nga politika sektariane e ish-kryeministrit irakian Nuri al-Maliki dhe përmes milicëve shiitë të pakontrollueshëm predikuesit e terrorit të IS-it nuk do të kishin mund të gjenin mbështetje tek popullsia sunite.

Kush e ndihmoi lindjen e xhihadizmit të IS-it?

Indinjata e sunitëve, dëshpërimi i tyre për shkak politikës së shtypjes në Irak dhe terrori i Asadit në Siri i hodhën ata në krahët e këtij sekti xhihadist. Kjo politikë anti-sunite në Irak dhe në Siri konsiderohet ndërkohë si zanafilla për lindjen e IS-it.

Për ta luftuar nga rrënjët problemin e xhihadizmit, aktorët rajonalë dhe ndërkombëtarë duhet t’u mundësojnë një perspektivë për të ardhmen e miliona sunitëve të mbetur pa atdhe mes Irakut dhe Sirisë. Ato duhet të punojnë, në mënyrë që sunitëve irakianë t’u jepet një përfaqësim i vërtetë në sistemin politik në Irakun e përçarë.

Për ta arritur këtë, duhet të shmanget influenca e Iranit në Irakun e sotëm. Paralelisht me këtë qeveria qendrore në Irak duhet të forcohet, për të parandaluar copëzimin e mëtejshëm në vend sipas modelit libanez.

Pa ndryshime thelbësore në konstelacionet e konflikteve në Lindjen e Mesme IS nuk mund të mposhtet përfundimisht – as përmes punës sensibilizuese dhe programeve parandaluese, sado që këto janë menduara mirë.