Xharra në kundërshtim me Haradinajn për demarkacionin

Xharra në kundërshtim me Haradinajn për demarkacionin

Anëtarja më e re e PDK-së, Arbana Xharra që është parë si krah i djathtë i Kadri Veselit gjatë tërë fushatës parazgjedhore ka rënë në kundërshtim me kandidatin për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-NISMA sa i përket demarkacionit me Malin e Zi.

Xharra ka thënë se demarkacioni me Malin e Zi do të ratifikohet sapo koalicioni i tyre ta marrë pushtetin nëse i fiton zgjedhjet.

“Demarkacioni do të kalojë, nuk ka qare pa kaluar”, ka thënë Xharra në emisionin Click në RTV 21.

Ndaj saj ka reaguar drejtori ekzekutiv i Insajderit, Parim Olluri, i cili ia rikujtoi Xharrës qëndrimin e kandidatit për kryeminsitër nga PDK-AAK-NISMA, Ramush Haradinaj, i cili në çdo tubim parazgjedhor insiston se demarkacioni me Malin e Zi në formën e tanishme nuk do të kalojë.

“Ju po bini në kundërshtim me kandidatin tuaj për kryeministër i cili thotë se ky version i demarkacionit nuk do të kalojë”, ka thënë Olluri.

E Xharra ka thënë të mos e ketë dëgjuar Haradinajn ta ketë dhënë këtë premtim.

“Unë nuk e kam dëgjuar të thotë ashtu, por këtë pyetje duhet t’ia bëni vet Haradinajt. Por demarkacioni do të kalojë”, ka thënë Xharra.

Haradinaj ka potencuar disa herë se nëse ai bëhet kryeminsitër do të themelojë një komision të ri për të nxjerrë versionin që ai e beson: kufiri me Malin e Zi është në Qakor. /Insajderi.com