Xhamitë që u rrënuan në Kosovë e nuk u rindërtuan kurrë

Xhamitë që u rrënuan në Kosovë e nuk u rindërtuan kurrë

Dikur u dëmtuan e më pas u rrënuan krejtësisht edhe disa objekte fetare. Por, asnjëherë më pas xhamitë e shkatërruara nuk u ndërtuan.

Rrënimi i xhamive në Kosovë ishte i kohëpaskohshëm nga pushtuesit e luftërat e ndryshme, derisa kishte edhe të atilla që u rrënuan si shkak i planifikimit urban, siç është rasti i xhamisë në Prishtinë afër Teatrit Kombëtar, tek e cila tash vonë u gjetën disa gjurmë.

Në Kalanë e Prizrenit në gjysmën e dytë të shekullit 15’të u ndërtua tërësisht një xhami. Por ajo, dy shekuj më vonë, sipas Bashkësisë Islame u rrënua nga austriakët, për tu ringritur sërish nga Perandoria Osmane.

“Këtë xhami e ka rindërtuar Mahmut Pasha. Në vitin 1828 nuk është ndërtuar por është rindërtuar’, tha Orhan Bislimaj, sekretar i Këshillit të BIK në Prizren.

E njëjta sipas drejtuesve të Bashkësisë Islame në Prizren, u rrënua edhe më vonë për të mbetur në këtë gjendje deri më sot.

“Ata e kanë rrënuar sikurse edhe serbët më 1912. E kanë demolu e kanë bërë jofunksionale’, theksoi ai.

Por gjurmë nuk i mbetën xhamisë së Ibrit në Mitrovicë. Ani se aty vitin e kaluar të shumtë ishin besimtarët që e falën namazin e Bajramit. Bile edhe kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri pati premtuar rindërtimin e saj, që u rrënua në luftën e fundit në Kosovë nga serbët.

Në Mitrovicë gjatë shekullit XX u rrënuan edhe disa xhami të tjera. Sipas studiuesit të trashëgimisë islame Sami Isufi, i cili ka edhe fotografi e dëshmi për to.

Sipas tij rrënimi i xhamive në Kosovë ishte i kohëpaskohshëm nga pushtuesit e luftërat e ndryshme.  Derisa kishte edhe të atilla që u rrënuan si shkas i planifikimit urban siç është rasti i xhamisë në Prishtinë, afër Teatrit Kombëtar  tek e cila tash vonë u gjetën disa gjurmë.

Isufi thotë se numri i xhamive në Kosovë ishte i madh ndër shekuj.

E sipas tij në luftën e fundit në Kosovë u rrënuan e u dëmtuan 210 shtëpi fetare islame, shumica prej të cilave u rindërtuan dhe u rinovuan më pas.