Granit Xhaka ka thënë se nuk do ta ndryshojë stilin e tij të lojës, pavarësisht kritikave që ka marrë, bazuar në kartonët e verdhë e të kuq, me të cilët është “mbuluar” gjatë sezonit të parë në Angli.
Mesfushori i Arsenalit, i cili shënoi njërin nga golat në fitoren 2-0 kundër Manchester United, të dielën, është “zverdhur” 10 herë dhe është “skuqur” 2 herë deri më tani, por është i vendosur të vazhdojë në të njëjtën mënyrë, edhe pse është bërë paksa “më i mençur”.
“Në futboll është normale të kritikohesh, nëse dëbohesh me karton nga fusha e lojës. Mirëpo, ky është stili im i lojës dhe askush nuk mund të bëjë që të ndryshoj. Edhe nëse marr një karton tjetër të kuq, kjo nuk ndryshon gjë. Po mundohem të bëhem paksa më i zgjuar në këtë drejtim. Që nga kartoni im i fundit, mendoj se gjërat janë përmirësuar”, ka deklaruar Xhaka.
Arsene Wenger e kritikoi publikisht Xhakën, i cili u bashkua me “Topçinjtë” për 35 milionë £ në verë, i ardhur nga Borussia Mönchengladbach, pasi lojtari u dërgua për herë të dytë gjatë sezonit me karton të kuq jashtë fushe, kundër Burnley, në janar.
Ai e këshilloi 24-vjeçarin të korigjonte veten në këtë drejtim, shkruan Telesport.
Xhaka nuk është ndëshkuar me të kuqe që atëherë, ndërsa nuk mendon se ka qenë në shënjestër të gjyqtarëve gjatë sezonit të tij të parë në Angli: “Nuk e di nëse është kështu, nuk mendoj kështu. Është një sezon që ka pasur ulje dhe ngritje, por kjo është normale.Mendoj se i përket futbollit. Për mua futbolli është shumë i njëjtë kudo, topi është i rrumbullakët, por ndoshta taktikisht gjërat janë të ndryshme nga klubet e tjera, ku kam luajtur. Ishte një fitore e rëndësishme kundër Manchester United. Ne e dinim se duhej të fitonim, luajtëm një ndeshje të mirë dhe e merituam. Kjo është një faze, ku duhet të fitojmë çdo lojë. Kemi edhe katër ndeshje të mbetura, të cilave duhet t’u qasemi në të njëjtën mënyrë, si sot. Nëse e bëjmë këtë, jam i bindur se mund të arrijmë atë që duam”.