Wenger refuzoi 35 milionë euro nga Kina

Wenger refuzoi 35 milionë euro nga Kina

Në këtë mbipopullim me yje trajnerësh të Premier League, e ardhmja e tyre në kampionatin anglez është një det pasigurish. Pas dy dekadash në drejtimin e Arsenalit, Arsene Wenger gjendet në dielemën nëse do të vazhdojë apo jo në klubin londinez.

Trajneri francez e sheh veten jashtë kontratës në fund të këtij sezoni dhe ende nuk ka dhënë sinjale të qarta për të vazhduar në “Emirates”, teksa kontestohet fuqishëm edhe nga tifozët. Sipas “The Telegraph”, Wenger ka refuzuar një ofertë marramendëse për trajner në Superligën Kineze: 30 milionë paundë në vit (35 milionë euro).

Refuzimi i francezit, jo në çdo rast mund të merret si një shenjë e vazhdimësisë tek Arsenali. Sipas gazetës së sipërcituar, Arsen Wenger ende ëndërron të stërvisë Real Madridin, çka mbetet destinacion prioritar nëse vendos të bëjë një ndryshim, njofton telesport.

Nga Anglia thonë se Florentino Perez është gati t’ia japë këtë mundësi francezit, nëse Zidane nuk rezulton në lartësinë e duhur. Edhe pse tifozët e Arsenalit janë kundër vazhdimit të tij, trajneri francez ka në tavolinë ofertën e rinovimit me “topçinjtë”, për ta zgjeruar marrëveshjen edhe për dy sezone, me rritje page në çdo rast, por larg nga shifrat që iu ofruan nga Kina.