VV thotë se transporti i votuesve është proces normal

VV thotë se transporti i votuesve është proces normal

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka pranuar se partia e tij u ka ofruar transport, atyre që sipas tij i kanë identifikuar se janë votuar të Vetëvendosjes.

Në një konferencë për media Ymeri ka thënë se votuesit e tyre ata i identifikojnë dhe se të dielën ju është bërë thirrje për të dal për të votuar.

“Natyrisht që votuesit tanë ne i identifikojmë dhe këta votues e pranojnë që do të thirren në ditën e zgjedhjeve që VV të ju ofroj çfarë do shërbimi që ata duan. Edhe këtë të diele kemi bërë këtë u kemi ofruar transport atyre që nuk kanë pasur mundësi ta bëjnë”, ka thënë Ymeri.

Ymeri theksoi se madje janë votuesit ata që u kanë kërkuar ndihmë për transport, gjë e cila më pas u është ofruar nga Vetëvendosje. Ymeri tha se nuk frikësohen nëse KQZ-ja vendos që në Prishtinë të shkohet në rinumërim. Ai tha se sa herë që të numërohen votat Shpend Ahmeti do të dalë fitues.

“Të dielën qytetarët kanë folur shumë qartë dhe prej të dielës kemi parë të flasin matrapazët, e sot po tentojnë të manipulojnë këtë vullnet. Është e sigurt që VV ka fituar në Prishtinë, Prizren dhe në Kamenicë”, është shprehur Ymeri.

Po ashtu ai ka shtuar se “Këto tri komuna do ta kenë rastin që përmes qeverisjes së VV-së të përfitojnë më shumë nga niveli lokal qeverisës, tash këto tri komuna do të jenë të lira nga mafia. VV do të qeverisë me këto tri komuna dhe qytetarët e këtyre komunave do të dinë se çfarë është qeverisja e mirë”.

Ndërsa nënkryetari i VV-së, Dardan Sejdiu, ka thënë se thirrja për lehtësim të procesit të votimit është proces normal në gjithë botën.

“Thirrja për votë, lehtësimi i votimit është proces normal në të gjithë botën. Dallimi është i thjeshtë ne u lehtësojmë votuesve votimin. Ata që janë deklaruar se janë votues të VV-së”, tha ai.