VV: Kryeministri është në panik, ka mbetur pa Veselin e Vuçiqin

VV: Kryeministri është në panik, ka mbetur pa Veselin e Vuçiqin

Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj ka thënë se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa është në panikë të humbjes së pushtetit.

Në reagim ndaj akuzave të LDK-së, të cilët thanë se Lëvizja Vetëvendosje është bashkuar në një aleancë me drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, sekretari i VV-së ka thënë se “çdoherë kur Mustafën e kap paniku, ai shan dhe ofendon kundërshtarët politikë.”

Molliqaj ka thënë se kryeministri ka humbur dy aleatët e fundit, Kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe Listën Serbe, të cilët sipas Molliqajt e mbanin në pushtet Mustafën.

“Kësaj radhe paniku është më i madh sepse i ka humbur edhe dy aletatët e fundit, Kadri Veselin (shefin e SHIK-ut që sipas tij “i ka duart me gjak të zyrtarëve të LDK-së”) dhe Listën Serbe e Vuçiqin që e mbanin në pushtet”, ka thënë Molliqaj.

Sekretari Organizativ i VV-së është shprehur i habitur me veprimet e Mustafës ndaj Listës Serbe. Ai thotë se para disa kohësh Mustafa e mbronte Listën Serbe, dhe sipas Molliqajt, këtë e bënte për mbrojtjen e interesave të tij.

“Kur Lista Serbe bënte veprime kundër shtetit të Kosovës, Mustafa i dilte në mbrojtje. Vetëm pasi ajo e braktisi dhe po ia rrezikon pushtetin, Mustafa i ka nxitur si asnjëherë më parë shërbëtorët e tij të flasin kundër Listës Serbe. Ku ishin më herët?!”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Molliqaj gjithashtu ka thënë se “Isa Mustafa po e ndjenë që viti i ri do të jetë vit i rënies së tij”. /Insajderi.com