VV: Përgjegjës për trenin janë Thaçi, Mustafa dhe Tahiri

VV: Përgjegjës për trenin janë Thaçi, Mustafa dhe Tahiri

Treni i linjës Beograd-Mitrovicë që është lëshuar për qarkullim të shtunën nga shteti serb, është përgjegjësi e tre personave: Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, Presidentit Hashim Thaçi dhe ministres për Dialog, Edita Tahiri.

Vetëvendosje përmes një reagimi të lëshuar për medie ka thënë se “treni i cili cenon tutje sovranitetin e Kosovës”, është produkt i pastër i negociatave pa parime e pa kushte të Kosovës me Serbinë.

“Sikurse për koncesione të tjera, përgjegjësit kryesor edhe për këtë iniciativë të Serbisë brenda Kosovës janë Hashim Thaçi, Edita Tahiri dhe Isa Mustafa. Ky tren që po qarkullon për herë të parë në relacionin Beograd-Mitrovicë që nga viti 1999, është përplot me motive të trashëgimisë kulturore e fetare serbe në Kosovë dhe me thënie që konsiderojnë Kosovën si pjesë të Serbisë”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Vetëvendosje ka thënë se lëshimi për qarkullim i linjës “është qartas mesazhi i Serbisë që e do Kosovën si në vitin 1999.”

Sipas VV-së, Qeveria e Kosovës me anë të veprimeve të saj është vënë në shërbim të Serbisë, raporton Insajderi.

“Qeveria e Kosovës është vënë në shërbim të Serbisë. Nënshtrimi i vazhdueshëm ndaj Serbisë përmes negociatave me të, dhe nënshtimi ndaj degëzimit të saj në Kosovë, Listës Srpska, është garancë edhe për projekte të tjera që do ta minimizojnë shtetësinë e Kosovës. Prandaj, që të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës duhet që të mos lejohet Serbia brenda saj. Dhe që të ndalet Serbia, është e domosdoshme që të ndërpritet procesi negociator pa parime e pa kushte më të, gjë të cilën nuk e bën dot qeveria aktuale e Kosovës, e cila funksionon pa asnjë parim dhe e kushtëzuar nga shteti serb”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Treni serb i linjes Beograd-Mitrovicë është nisur nga Beogradi sot paradite, derisa pritet të mbërrijë gjatë orëve të mbrëmjes. /Insajderi.com