VV për përgjimet: Grabovci zbaton skemën kriminale të Thaçit e Veselit

VV për përgjimet: Grabovci zbaton skemën kriminale të Thaçit e Veselit

Përgjimet telefonike të Adem Grabovcit me drejtues të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës janë dëshmi që tregojnë se si skema kriminale e organizuar nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli për kapjen e shtetit zbatohet në praktikë nga Grabovci.

Kështu u tha të martën në një konferencë për media të Lëvizjes Vetëvendosje, të thirrur enkas për të shprehur qëndrimin e partisë lidhur me publikimin e përgjimeve telefonike të publikuara të hënën në gazetën online Insajderi.

Glauk Konjufca, nënkryetar i Vetëvendosjes, i ka bërë thirrje prokurorisë që të merret “deri në fund” me rastin duke shtuar se “nuk ka shumë hapësirë për dyshime, sepse faktet janë aty, bashkë me zërin e tyre”.

“Kjo është edhe një arsye më shumë që nuk duhet pranuar marrëveshjet [marrëveshja për demarkacionin dhe krijimin e Asociacioni] dhe vendimet e marra nga ta.  Ata nuk duhet të vazhdojnë të na udhëheqin, por ftojmë të gjithë që t’i largojmë ata nga pushteti”, ka shtuar ai.

Konjufca ka sulmuar edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, parti kjo e cila është në koalicion qeverisës me PDK-në.  Sipas tij, edhe LDK-ja është mbështetëse e skemave të organizuara nga PDK-ja.

Insajderi ka siguruar mbi një mijë telefonata të përgjuara të Adem Grabovcit me zyrtarë të lartë të PDK-së, përfshirë këtu edhe kryetarin aktual Kadri Veseli dhe ish-kryetarin Hashim Thaçi, aktualisht president i vendit, përmes të cilave dëshmohet se si kjo parti shtrinë ndikimin e vet në institucionet publike të vendit përmes punësimeve të njerëzve të afërt me ta.

Në anën tjetër, deputetja Albulena Haxhiu thotë se në vetëm një përgjim të publikuar deri më tani përmenden katër raste ku PDK-ja ka ndërhyrë në sistemin e drejtësisë në vend.

Sipas saj krimi dhe korrupsioni nuk mund të luftohet përmes këtij sistemi “të kriminalizuar të drejtësisë” por vetëm me mobilizimi qytetarë.

Deklarata e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, se do të hetohet nëse ka pasur vepër penale në përgjime sipas Haxhiut është e çuditshme pasi sipas saj lehtë kuptohen tre vepra penale vetëm që mund të vërehen vetëm në paralajmërimin për përgjim.

“Unë i kam evidentuar vetëm tre nga veprat penale që i ka kryer Thaci Vesei dhe Grabovci që janë: Keqpërdorim i pozitës zyrtare, Përvetësimi në detyrë dhe Ushtrimi i ndikimit”, tha Haxhiu

“Për protesta apo për çfarëdo vendimi tjetër ju njoftojmë me kohë,” ka shtuar ajo./Insajderi.com