VV për ofertën e Shpend Ahmetit: Na ndryshuan fjalët

05.06.2018 18:20
VV për ofertën e Shpend Ahmetit: Na ndryshuan fjalët

Lëvizja Vetëvendosje, po e quan si joserioze dhe të pasinqerë ofertën që Shpend Ahmeti ua ka bërë për bashkqeverisje në Prishtinë.

Arben Vitia nga kjo Lëvizje, i ka thënë Gazetës Blic, se oferta e Ahmetit, që parasheh dhënien e katër drejtorive për Vetëvendosjen, është shumë i ulët. Për shkak se ai tregoi se në fillim të muajit Maj, ishte vetë kreu i Prishtinës, ai që ua kishte ofruar udhëheqjen me pesë drejtori dhe me mundësi të madhe edhe për drejtorinë e gjashtë. Por, sipas Vitisë, ekziston vetëm një shkak pse sipas tij Ahmeti e ka ndryshuar ofertën e mëparshme.

“Është pak e çuditshme oferta që na ka bërë ai, sepse në takimin që e kemi pasur në fillim të majit, kryetari Shpend Ahmeti, na ka ofru pesë drejtori dhe ka thënë se për drejtorinë e gjashtë do të diskutohet më vonë. Ngjarjet e fundit në asamblenë komunale i ka përdorë vetëm si pretekst për me e ulë ofertën, në mënyrë që të tregoj se siç duket nuk është i interesuar për bashkpunim me Lëvizjen Vetëvendosje. “Kjo është një ofertë joserioze, për arsye se dihet që Shpend Ahmeti nuk do të kishte mundur që të fitojë pa qenë anëtar i Vetëvendosjes dhe pa ndihmën e anëtarëve dhe aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Vitia shtoi se vendimi për ta pranuar apo refuzuar këtë ofertë do të merren në kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ne si grup negociues që kemi qenë nga Lëvizja Vetëvendosje, unë, Besnik Bislimi, Nora Kelmendi dhe Yll Rugova, mandatin e kemi pasur që të negociojmë dhe kjo ofertë që Shpendi na ka dërgu dje në email, ne do e dërgojmë në kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe aty do të merret vendimi se a do të pranohet apo jo”, ka thënë  Arben Vitia.

Për drejtorin komunal të Shëndetësisë, nëse VV udhëheq me vetëm katër drejtori, atëherë është në rrezik që të implementohet programi i kësaj partie, program i cili kishte qenë fitues në zgjedhjet e fundit lokale, të mbajtura në nëntor të vitit të kaluar.

“Me këto katër drejtori që u janë propozuar Vetëvendosjes, nuk janë garancë që do të implementohet programi i Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Vitia.

Ai shpreh mosbesim ndaj kryetarit aktual Shpend Ahmeti, në atë se ky i fundit vazhdimisht po deklaron se do e implementojë tërësisht programin e Vetëvendosjes, me të cilin program Ahmeti ishte shpallur fitues i garës për kryeqytetin.

“Këto deklarata janë deklarata. Më herët ka pasur deklarata se nuk do t’i bashkohet asnjë partie politike, dhe do të mbetet vetëm kryetar i Prishtinës, por kjo nuk ka ndodhur. Kështu që kjo na jep si argument që nuk mund të bazohemi në deklarata, ne kërkojmë garancë që ky program të implementohet”, ka thënë Vitia.

Ai thotë se është herët që të vërehet se a është duke u praktikuar programi i VV-së, në Prishtinë.

“Janë vetëm katër-pesë muaj që kemi filluar punën. Nuk mundemi ende që të japim vlerësime se a po implementohet programi i Lëvizjes Vetëvendosje. Por, një gjë tashmë është e qartë, se në këtë mandat, nuk ekziston uniteti që qeverisja e Prishtinës e kishte në mandatin e parë”, ka thënë Vitia.

Në rast të arritjes së marrëveshjes në mes PSD-së dhe VV-së për bashkëqeverisje atëherë ndarja e drejtorive në Komunën e Prishtinës do të jetë si vijon: ” PSD – 3 drejtori, AKR – 3 drejtori, AAK – 3 drejtori, LB – 1 drejtori, Alternativa – 1 drejtori dhe VV – 4 drejtori”.

Ahmeti në ofertën për VV-në për bashkëqeverisje në Prishtinë, ndarjen e drejtorive e ka konsideruar shpërndarje fer, ku VV ka numrin më të madh të drejtorive.

Shpend Ahmeti, udhëheq me Prishtinën për dy mandate radhazi. Të dyja këto fitore në Prishtinë, Ahmeti i kishte bërë si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje.

Mirëpo, Shpend Ahmeti ishte njëra nga shumë të dorëhequrit nga partia e Albin Kurtit. Ahmeti, pas daljes nga Vetëvendosje, është zgjedhur kryetar i Partisë Socialdemokrate, dhe anëtarë të kësaj partie janë bërë pothuajse të gjithë të larguarit nga Vetëvendosje./Gazeta Blic