VV: PDK po frikësohet, vetëm ata e dinë se sa shumë kanë vjedhur

VV: PDK po frikësohet, vetëm ata e dinë se sa shumë kanë vjedhur

PDK po frikësohet nga shteti i së drejtës sepse vetëm ata e dinë se sa shumë e ka plaçkitur shtetin e Kosovës, ka thënë sot Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi për media.

Vetëvendosje, e cila reagoi ndaj zyrtarit të lartë të PDK-së, Blerand Stavileci, ka thënë sot se Partia Demokratike e Kosovës do të ballafaqohet me ligjin kur Vetëvendosje do ta marrë pushtetin, raporton Insajderi.

“Akuzojnë pikërisht sepse u frikësohen akuzave nga shteti i së drejtës që nuk njeh shefa. Siç duket vetem tash, afër 2 muaj pas zgjedhjeve PDK ka filluar ta ndjejë goditjen e madhe që ka marrë me 11 qershor. Ne e dimë se janë të frikësuar, por vetëm ata e dinë sa shumë kanë vjedhur – pra sa shumë kanë çfarë të humbasin”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Më tutje, partia që udhëhiqet nga Visar Ymeri e ka quajtur servil të Kadri Veselit ministrin në largim të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavilecin.

“Blerand Stavileci nuk ka bindje as mendim. Ai është një servil i vockël që i shërben shefit. Fillimisht Hashim Thaçit, pastaj Kadri Veselit, pse jo, nesër edhe tjetërkujt. Servili mund ta ndërrojë shefin, por pa të s’bën dot. Kjo punë e ulët nuk njeh dinjitet. Suksesi i servilëve matet me shkallën e instrumentalizimit. Nganjëherë, ata duhet ta tejkalojnë edhe nivelin e të zotit për ta dëshmuar besnikërinë”, ka thënë VV.

Vetëvendosje është shprehur se PDK do të jap përgjegjësi edhe për, siç thonë ata, vrasjen e aktivistit të tyre, Astrit Deharit dhe për “milionat e bëra përmes krimit e korrupsionit”.

“Për Astrit Deharin do të përgjigjeni, dhe për këtë ju garantojmë; kurse për milionat e bëra përmes krimit e korrupsionit, e kemi gati ligjin anti-mafia. Ky vend do të çlirohet me çdo kusht! Pavarërisht se nuk do klani Pronto. Në fakt, pikërisht përkundër tij. Për këtë i detyrohemi të rënëve”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes. /Insajderi.com