VV nuk proteston për dënimin e aktivistëve – fton të fokusohen në fushatë

VV nuk proteston për dënimin e aktivistëve  – fton të fokusohen në fushatë

Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar të gjithë aktivistët e saj të fokusohen në fushatë për Zgjedhjet Lokale në rundin e dytë, përderisa protestat nuk i ka preferuar në këtë kohë. Sipas këtij subjekti politik Vetëvendosje është duke u përballur me një betejë të rëndësishme politikë pas dy ditëve, shkruan Insajderi.

Pas dënimit me 21 burg të aktivistëve të kësaj partie, Vetëvendosje ka mbajtur një konferencë për media, ku dënimin e konsideroi si vendim politik.

Dardan Molliqaj, nga Vetëvendosje ka thënë se përgjigja për dënimin e katër aktivistëve do të merret sonte në tubimin zgjedhore në sallën 1 tetori.

“Kështu që sonte ne e kemi tubimin me 1 tetor, aty ku filluan shumë protestat e kryengritje të studentëve të Kosovës kundër regjimeve të ndryshme, ku në ato protesta shumë student janë dënuar me dhjetëra vjet burgim. Në ora 8 është tubimi i fushatës zgjedhore të VV dhe nga aty kemi me ja u jep përgjigjen të gjithë atyre që kanë dashtë me e dëmtuar Lëvizjen dhe mbajeni në mend që përgjigja ka me qenë shumë befasuese për ta. Dhe mbajeni në mend përgjigjen tjetër të Vetëvendosjes të dielën kur do të qeverisë me shumicën e komunave të mëdha”, ka thënë Molliqaj në këtë konferencë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri është pyetur nga gazetarët nëse do të organizohen protesta në lidhje me dënimin e katër aktivistëve siç ishin organizuar në të kaluarën. Ai nuk ka konfirmuar një gjë të tillë.

“Tash për tash nuk mund të ju them asgjë për këtë gjë, ju thashë që e kemi një betejë shumë të rëndësishme politike që e kemi pas dy ditë dhe për këtë po përgatitemi maksimalisht”, ka deklaruar Ymeri./Insajderi.com