VV ndihet e kërcënuar nga thirrja për dekriminalizimin e skenës politike

VV ndihet e kërcënuar nga thirrja për dekriminalizimin e skenës politike

Një thirrje e Presidentit Thaçi për dekriminalizmin e skenës politike është vlerësuar si joserioze nga partitë opozitare në vend. Për më tepër, Lëvizja Vetëvendosje thotë se qëllimi i Thaçit është largimi i opozitës nga kuvendi, kur dihet fakti se një pjesë e tyre janë duke u hetuar për protestat me gaz lotsjellës.

Tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës – Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën – vlerësojnë se një thirrje e presidentit Hashim Thaçi për dekriminalizimin e skenës politike në vend është bërë më shumë për interesa të tij politik.

Që të tri këto parti e shohin si joserioze deklaratën e Thaçit, që sipas tyre nuk ka legjitimet për të kërkuar një gjë të tillë.

Albuelana Haxhiu, deputete e VV-së, ka thënë se sikur në Kosovë të funksionin institucionet e drejtësisë, “Thaçi nuk do të ishte president por do të jepte llogari për të gjitha dëmet që i ka shkaktuar vendit, edhe ato financiare edhe politike.”

Për më tepër, sipas saj, një nismë e presidentit për të “pastruar” skenën politike mund të jetë bërë për të dëmtuar opozitën.

“Propozimi i tij ka te bej me eliminimin e kundërshtareve politik dhe jo me dekriminalizim te skenës politike. Ai ka për qellim qe përmes kësaj te heq nga skena opozitën e cila është duke u hetuar për hedhjen e gazit lotsjellës ne Kuvend”, ka thënë deputetja Haxhiu për Insajderin.

Të mërkurën, presidenti Thaçi ka thënë se njerëzit që janë nën hetime duhet të jenë jashtë institucioneve dhe listave zgjedhore.

“Njerëzit nën hetime të mos lejohen, jo vetëm të marrin poste publike, por as të përfshihen në listat zgjedhore”, ka deklaruar Thaçi.

Një mendim të ngjashëm me Haxhiun ka dhënë edhe deputetja e Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, e cila deklaratën e Thaçit e ka quajtur si hipokrizi.

“Thaçi është dashur të jetë personi i fundit që është dashur të jep një ide të tillë, pasi është personi që është akuzuar më së shumti nga Dick Martty”, thotë ajo.

Muharrem Nitaj, anëtar i kryesisë së AAK-së, idenë e Thaçit e quan nismë politike për interesa vetjake. Ai ka thënë se Thaçi gjatë kohës sa ka qenë kryeministër i vendit për dy mandate nuk ka punuar asgjë në këtë drejtim.

“Nuk e kuptoj interesimin e presidentit Thaçi i cili për një kohë të gjatë ka qenë kryeministror nuk është marrë fare me një çështje, ndërsa tani si president pretendon ta kapitalizoj për çështje puro personale. Prandaj, kjo nuk me duke nisma serioze”, ka thënë ai.

Mjafton të kujtohet se sa persona janë në hetim nga vetë partia e Thaçit që e është kryetari historik i saj”, ka shtuar Nitaj.

Në anën tjetër, anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, ka thënë se për nisma të tilla duhet të ketë koordinim mes partive.

“Unë mendoj që me koordinime me bashkëbisedime duhet të bëhen këto gjëra, andej mendoj që çdo iniciative e mirë për vendin pavarësisht nga kush vjen unë do të i përkrahi në baza parimore dhe jo me hile”, ka thënë Rugova.

Kurse një ish-bashkpartiak i Thaçit në PDK-, Agim Ceku, thotë se e përkrah nismës e Thaçit, dhe për më tepër një gjë e tillë duhet të shndërrohet në ligj.

“Është një iniciativë për të u përshëndetur dhe duhet të shndërrohet në ligj. Unë e përkrahi çdo gjë që shkon drejtë pastërtisë së deputetëve dhe zyrtarëve sepse kështu duhet të jemi të gjithë. Mendoj që të gjitha partitë me një konsensus të plotë do ta përkrahin këtë iniciativë”, ka thënë Çeku./Insajderi.com