VV: LDK është futur në panik pas sondazhit të fundit

Lëvizja Vetëvendosje thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është në panik pas publikimit të sondazhit të fundit të bërë nga kompania "Ubo Cosulting", sipas të cilës LDK del të jetë partia e tretë në Kosovë.

VV: LDK është futur në panik pas sondazhit të fundit

Vetëvendosje përmes një njoftimi që ka bërë në faqen e saj zyrtare në Facebook, ka reaguar pas akuzave që LDK-ja i ka bërë kompanisë që ka përgatitur sondazhin, duke e lidhur atë me Vetëvendosjen, raporton Insajderi.

“Pas skandaleve të shumta që prej krijimit të koalicionit LDK-PDK-Srpska, pas qeverisjes skandaloze bashkë me klanin ‘Pronto’, pas dështimit që të na e sjell ‘Zajednicën’ dhe Demarkacionin, si dhe pas mungesës së guximit për të thënë qoftë edhe një fjalë të vetme kundër klanit ‘Pronto’,LDK-ja e Isa Mustafës është në panikë me rënien e mbështetjes së qytetarëve”, thuhet në kumtesën e VV-së.

“Në vend që të kërkojë sqarim nga kompania që kishte realizuar këtë sondazh, dhe të kërkojë të dijë parametrat, metodën e punës, etj. që ta analizojë nëse ky sondazh është serioz dhe shkencor, LDK e Isa Mustafës ka vendosur ta denoncojë atë pa pasur asnjë informacion, dhe të tentojë në mënyrë absurde ta lidhë këtë sondazh me Lëvizjen Vetëvendosje”, thotë VV-ja.

Sipas këtij subjekti politik, LDK-ja e drejtuar nga Isa Mustafa është në panikë të madhe, ngase po e di që ky dhe sondazhet e tjera të kohëve të fundit janë të vërteta.

“Ne tashmë jemi të bindur që rezultatet e këtij sondazhi – që flasin për rritje të madhe të Vetëvendosjes – përputhen me atë çka mendojnë qytetarët, dhe çka po shprehin ata për çdo ditë në vizitat tona në teren”, përfundon Vetëvendosje. /Insajderi.com