VV kërkon lirimin e të arrestuarve sot në Gjakovë

VV kërkon lirimin e të arrestuarve sot në Gjakovë

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj sic e kanë quajtur ata dhunës së përdorur nga policia e Kosovës ndaj protestuesve në Gjakovë, kundër ardhjes së pelegrinëve serb në kishën ortodokse.

Ndërkohë që ka bërë thirrje për lirimin e menjehershëm të Hazbije Pruthit, Mimoza Shalës, Haxher Bytyqit, Shkëndije Hodës dhe Sanije Berishës, të cilat sipas tyre janë arrestuar nga policia.

Sipas një komunikate për media, VV e ka quajtur provokim vizitën e pelegrinëve serb, pasi që thuhet se i rëndon edhe më shumë plagët e shumë familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre gjatë luftës së fundit.

“Protestat e vazhdueshme kundër këtyre vizitave janë thirrje për t’u vendosur drejtësi, kurse dhuna policore nga organet e rendit ndaj protestuesve është veprim kundër drejtësisë, dhe si i tillë i papranueshëm”, thuhet në komunikatë.

Sipas VV-së policia sikur edhe herat e kaluara ka arrestuar qytetarët që po kundërshtonin ardhjen e këtyre pelegrinëve,”bashkë me të cilët edhe kriminelë të luftës, të cilët nuk u hetuan asnjëherë”.

”Nuk mund të ketë pajtim me Serbinë përderisa drejtësia nuk është vendosur. Serbia përveçse nuk ka kërkuar falje, ajo po mban në fuqi fletë-arrestet për pjesëmarrësit në luftën tonë çlirimtare. Prandaj, protestat janë të pashmangshme deri në zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe vendosjen e drejtësisë”, përfundon komunikata. /Insajderi.com