Lëvizja Vetëvendosje, përmes një konference për media u bëri thirrje presidentit Hashim Thaçit dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli për të dhënë dorëheqje, pasi sipas tyre nga publikimi i “Dosjes së Shefave”, u dëshmua synimi i tyre për t’i kapë institucionet publike.
Albulena Haxhiu deputete e Vetëvendosjes, tha se është pamjaftueshme dorëheqjen e Adem Grabovcit prej pozitës së Shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së.
“Përmes punësimit të militantëve dhe familjarëve në polici e gjyqësi, këta kriminelë e kanë marrë kontrollin mbi shtetin. Kjo ua mundëson atyre që të kryejnë krime pa rrezikun që do të ndëshkohen”, tha Haxhiu.
Kurse, Ylli Hoxha anëtari anëtar i kësaj partie tha se pa dorëheqjen e “dy kokave të krimit Thaçi e Veseli”, nuk mund të ketë stabilitet e as shtet të mirëfilltë.
Sipas Hoxhës, Grabovci nuk e pranoi fajin duke thënë se ai ka punësuar njerëz, por e pranoi pasi u rrit presioni publik.
“Adem Grabovci e kishte pranuar edhe vetë në njërin nga përgjimet që ai është thjeshtë ekzekutues i planeve të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Asgjë në këtë aktivitet kriminal të ekzekutuar nga Adem Grabovci, nuk ka ndodhur pa planifikimin dhe dijeninë e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Ju e keni dëgjuar edhe në përgjime se si ai për të justifikuar veprimet e veta vazhdimisht u referohet bisedave me Thaçin dhe Veselin”, tha Hoxha.
Lëvizja Vetëvendosje u bëri edhe një herë thirrje qytetarëve të dalin në protestat e organizuara kundër krimit dhe korrupsionit, pasi sipas tyre “vetëm kështu mund të largohen të korruptuarit”.
[iframe id=”https://www.youtube.com/embed/C-X6IOZn3E4″]