VV: Gjykata Kushtetuese ndihmesë e PAN-it për t’i bllokuar institucionet

VV: Gjykata Kushtetuese ndihmesë e PAN-it për t’i bllokuar institucionet

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media ka thënë se koalicioni PAN është duke e bllokuar Kuvendin.

“Koalicioni PAN është duke e bllokuar Kuvendin. Kjo është tashmë e qartë për publikun dhe nuk ka nevojë për interpretime të tjera qofshin ato dhe nga Gjykata Kushtetuese. Sot, koalicioni i udhëhequr nga PDK kërkoi që vazhdimi i seancës themeluese të mbahet më 24 gusht. Kësisoj, e shtyu edhe për një javë kërkesën e vet të mëparshme – që seanca e radhës të mbahej këtë të enjte ose të premte, me 17-18 gusht”, thuhet në komunikatë.

“Në konsultën e sotme, përfaqësuesit e koalicionit PAN sërish kërkuan që deputetët e Kuvendit ta votojnë kandidatin e tyre, Kadri Veselin. Kësisoj dëshmuan se nuk e kanë shumicën dhe e lanë të hapur mundësinë që sërish ta braktisin seancën nëse Veseli nuk votohet”

Më tutje në këtë komunikatë, Vetëvendosje fajtor për mbajtjen siç kanë thënë ata mbajtjen peng të jetës institucionale është ndihmesa kryesore e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2014.

“Përveç Listës Serbe, partner kryesor i koalicionit PAN, sot u shpërfaq edhe roli i dëmshëm i disa përfaqësuesve të komuniteteve të tjera të cilët u pajtuan me taktikën e zvarritjes së mëtutjeshme në themelim të institucioneve qeverisëse. Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e brengosur për pozicionimin e tillë të deputetëve minoritarë të cilët kësisoj e rënduan tutje pozitën e ndjeshme të komuniteteve të tyre në këtë periudhë të krizës politike dhe shantazhit institucional”.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! i kupton takimet e sotme ndër-partiake si taktizim të palëve në prag të fushatës për zgjedhjet lokale në Kosovë. Insistimi i përfaqësuesve të PAN për datën 24 gusht ndërlidhet me afatin e fundit për dorëzim të listave të kandidatëve për kryetarë dhe anëtarë kuvendesh komunale, e që skadon më 22 gusht”.

“Tashmë është e qartë që PAN synon mbajtjen peng të jetës institucionale derisa të përmbyllen pazaret e kandidaturave dhe përkrahjeve elektorale të nivelit lokal. Ndihmesë kryesore në këtë qëllim të ulët e ka Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nga viti 2014”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.