VV fton deputetët të marrin pjesë në seancën e nesërme

VV fton deputetët të marrin pjesë në seancën e nesërme

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se koalicioni PAN është duke shpërdorur takimet konsultative për caktimin e një date për vazhdimin e seancës konstituive. Sipas VV-së, koalicioni PAN “shtroi sërish një kërkesë absurde por të kuptueshme duke ditur gjendjen e tyre”.

“Ata, veçanërisht PDK kërkuan që me “konsensus” t’ua bëjmë ne shumicën të cilën as e morën nga qytetarët me 11 qershor as nuk e arritën me ndonjë partneritet politik më pas”, thotë VV përmes një komunikate për media.

“Përmes “takimeve konsultative” si ky sot, PAN po insiston në emërimin arbitrar e jo në përzgjedhje demokratike. Bllokimi i procesit parlamentar është taktikë, kurse kriza politike si strategji e koordinuar e koalicionit PAN është vetëm nevojë e drejtuesve të PDK-së”, thuhet tuje në komunikatë.

Sipas kësaj partie, PDK është në krizë të brendshme e cila “nuk mund të transferohet në Kuvend:.

“Sot u tentua sërish që kriza e brendshme e Partisë Demokratike të transferohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Përfaqësuesit e tij e shpërdorën ‘takimin konsultativ’ në mbajtjen e të cilit insistuan vet. Ata pa asnjë arsye të qëndrueshme nuk pranuan kërkesën e Kryesuesit të Kuvendit të Republikës, deputetit Adem Mikullovci, për të marrë pjesë në seancën e rregullt të caktuar për nesër”, ka thënë VV.

Me fjalët e ambasadores gjermane në Kosovë, Angelika Viets, VV ka treguar frikën e PAN-it.

“Veprimet e fundit të koalicionit të PDK-së konfirmojnë sheshazi atë që e dimë të gjithë e që u përmend dje edhe nga znj. Angelika Viets, Ambasadorja e Gjermanisë – ‘Shumë kanë frikë edhe nga ndjekja penale nëse nuk janë në pushtet’. Ata pra, janë të interesuar që të jenë pushteti kështu e garantojnë sigurinë e vet”, thuhet në ko,unikatë.

“Ne po përcjellim me shqetësim lojën e rrezikshme të PAN-it, tërheqim vërejtjen për dëmet që po i shkaktohen qytetarëve dhe Republikës. Pajtohet me brengat e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare ndaj pengmarrjes së institucionit të Kuvendit nga ana e këtij koalicioni, të udhëhequr nga PDK”.

VV ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të mblidhen nesër për vazhdimin e seancës konstituive.

“Prania jonë e rregullt në sallën e Kuvendit mbetet dëshmia më e fuqishme e përgjegjësisë ndaj qytetarit dhe Republikës. Bojkoti i PAN-it është sulm ndaj shtetit.”