VV: Dosjet ndaj Mustafës njëra ndër punët më të mira në komunën e Prishtinës

24.08.2017 19:22
VV: Dosjet ndaj Mustafës njëra ndër punët më të mira në komunën e Prishtinës

Për Lëvizjen Vetëvendosje dërgimi në prokurori i lëndëve kundër qeverisjes komunale nga Isa Mustafa është njëra ndër punët më e mirë që Shpend Ahmeti ka bërë në krye të komunës së Prishtinës, edhe në ditën kur këto dosje janë përmendur si pengesë mes LDK-së dhe VV-së

Albulena Haxhiu deputete e Vetëvendosjes i ka thënë sot Insajderit se me dosjet e deponuara në prokurori është njëra ndër punët më të mira në komunën e Prishtinës, ku edhe pret angazhim serioz të prokurorisë.

“Njëra ndër punët më të mira në Komunën e Prishtinës është ndalja dhe luftimi i korrupsionit. Me dosjet e deponuara në prokurori merret drejtësia madje ne presim një angazhim dhe seriozitet të prokurorisë në këtë drejtim në mënyrë që gjithë ata që kanë keqpërdorur detyrën zyrtare të marrin përgjegjësinë penale”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se kërkesa e LDK-së për heqjen e dosjeve nuk do të bëhet por duhet të hetohet me seriozitet.

“LDK po kërkon diçka që ne nuk mund dhe as nuk duam ta bëjmë. Dosjet s’mund te tërhiqen, ato duhet te hetohen”, ka thënë ajo për Insajderin.

Ajo më tutje deklaratat e sotme të bëra nga LDK-ja i ka quajtur naive dhe që nuk i kontribuojnë aspak situatës aktuale.

“Sot me të drejtë thuhet se koalicioni PAN, ka bllokuar institucionet e vendit, për shkak të pazareve personale por ama mosveprimi i LDK në drejtim të zhbllokimit për ne është i papranueshëm. Deklaratat e përfaqësuesve të LDK janë naive dhe nuk i kontribuojnë situatës aktuale”, ka deklaruar Haxhiu.

Nga 70 dosjet e dërguara nga Vetëvendosje vetëm një rast rezultoi me aktakuzë – ai ndaj kryeinspektorit Ismet Haliti dhe 9 zyrtarëve tjerë, inspektorë e punonjës të Komunës./Insajderi.com