VV: Dita Ndërkombëtare e Demokracisë në shtetin e kapur

Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje e sheh më ndryshe. Sipas saj, nuk mund te ketë shtet demokratik ku pushteti arreston deputetët dhe persekuton qytetarët e vet.

VV: Dita Ndërkombëtare e Demokracisë në shtetin e kapur

“Demokracia është hapësira dhe përmbajtja që u garanton të drejta, barazi dhe mirëqenie qytetarëve. Të tria këto, po mungojnë në Kosovë.  Nuk mund të jetë demokratik shteti që arreston deputetët. Nuk mund të jetë demokratik shteti që persekuton qytetarët dhe që e lufton opozitën”, vlerëson Vetëvendosje.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, ky pushtet që ironikisht, ligjërimin e ka të mbushur me fraza mbi demokracinë, përparimin, prosperitetin, mendimin ndryshe, ka arrestuar për 12 muaj më shumë se 400 aktivistë vetëm pse mendojnë ndryshe nga Qeveria. Aktivistët e arrestuar, në shumicën e rasteve janë rrahur brutalisht për kundërshtimin e projekteve që donin të kalonin pa pikë transparence”, thuhet më tej në komunikatën e LVV-së.

Në raportin e fundit të organizatës Freedom House ku flitet për Kosovën, Vetëvendosje thotë se shteti jonë zë vendin më të keq në Ballkan, duke e cilësuar si gjysmë autoritar.

“Strukturat qeveritare, thuhet aty, të ndërtuara për të mbajtur paqen, janë duke penguar përparimin. Nuk mund të ketë përparim me shtet të kapur. Nuk mund të ketë zhvillim me klanin mafioz “Pronto””, thuhet në reagim.

“Demokracia do të triumfojë vetëm me zërin e qytetarëve të vendosur, sikur në protestat kundër “Zajednicë” dhe kundër marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi”, përfundon komunikata./Insajderi.com