VV zbulon lidhjen mes zëvendësdrejtorit të antiterrorizmit dhe PDK-së

VV zbulon lidhjen mes zëvendësdrejtorit të antiterrorizmit dhe PDK-së

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se zëvendësdrejtori i njësitit të anti-terrorizmit, Luan Keka, i cili ka zhvilluar hetimet ndaj aktivistëve të kësaj partie që u arrestuan të martën, është “vendosur” në këtë pozitë nga Partia Demokratike e Kosovës.

Vetëvendosje ka publikuar një fotografi ku shihet Keka në shoqëri të gruas së tij, Miranda Keka, ish-kandidate e PDK-së për deputete, e cila në një fotografi tjetër shihet me shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti.

Në fotografi janë edhe Ridvan Berisha e Asdren Agushi nga Radio Televizion Publik i Kosovës, që sipas Vetëvendosjes, shoqëria e Luan Kekës me ta është “shumë e afërt.”

Gjashtë aktivistë të Vetëvendosjes u arrestuan nga policia të martën si të dyshuar për sulmin me armë ndaj Kuvendit.

Në një konferencë për media të mbajtur sot gjatë ditës, Luan Keka, ka thënë se në bazë të hetimeve policore kanë arritur që të identifikojnë të gjithë planin e sulmit të bërë më 4 gusht.

“Të gjitha këto prova e kanë ndërlidhë grupin e arrestuar më këtë sulm. Pas aksionit të bastisjeve u sekuestruan edhe një mori armësh që lidhen me rastin e sulmit”, ka thënë ai.

Vetëvendosje ka hedhur poshtë këto akuza, duke thënë se rasti është i montuar dhe po ndodhë vetëm dy ditë para protestës së paralajmëruar kundër demarkacionit./Insajderi.com